Policia britanike nis hetimet për pakon e dyshimtë në stadiumin “Old Trafford”

Policia britanike do të nisë një hetim urgjent pas anulimit të ndeshjes së djeshme mes Manchester United dhe Bournemouth si pasojë e një alarmi për bombë.Pas evakuimit të stadiumit, policia zbuloi se pakoja e dyshimtë ishte me të vërtetë një mjet i ngjashëm me një bombë, por që përdorej gjatë stërvitjeve të sigurisë.Objekti ishte lënë në tualetet e stadiumit “Old Trafford” nga një kompani private e cila kishte kryer një ushtrim stërvitor për situata emergjence ku ishin përdorur edhe qen antieksploziv.Zbulimi i mjetit të dyshimtë disa minuta para ndeshjes detyroi zyrtarët të anulonin takimin dhe evakuuan menjëherë stadiumin dhe më pas policia kreu edhe një shëprthim të kontrolluar.Kryebashkiaku i Manchesterit Toni Lojd e konsideroi gjithë situatën e krijuar të papranueshme dhe bëri thirrje për një hetim urgjent për të verifikuar se si kishte ndodhur ngjarja dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë.Ai tha se kjo situatë u shkaktoi dëme të konsiderueshme tifozëve që kishin ardhur nga shumë larg për të parë ndeshjen, ndërsa u kushtoi kohë të vyer ekipeve policore dhe të ushtrisë.Ndërkohë ndeshja mes Manchester United dhe Bournemouth është planifikuar për të martën në mbrëmje.