Prokuroria: Të konfiskohen 3.2 mln USD dhe 450 mijë euro të Kastriot Ismailajt

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nga Gjykata të konfiskojë llogaritë bankare të biznesmenit Kastriot Ismailajt, me vlerë 3.2 milionë dollarë si dhe 450 mijë euro.

Në konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë të përmbledhura, sqarohen edhe mënyrat se si janë ngritur kompanitë nga Ismailaj, që sipas organit të hetimit kanë funksionuar në mënyrë fiktive.

Sipas materialit hetimor, disa nga shoqëritë e të pandehurit janë “Adriatic Development Corporation Ltd”, Shoqëria AIC (Albania Investment Corporation)  shpk.;  ”Asset”,  shpk;  Debt International, Advisory – Dega  në Shqipëri”;  dhe “Vl Marketing Distribution”. Prokuroria thotë se Ismailaj është ortak i vetëm themelues i shoqërisë “Adriatic Development Corporation Ltd., me vendim të Gjykatës Tiranë dt. 28.12.2006, ndërsa objekti i saj ishte “Këshillimi, dhe financim për promovimin e zbulimit, zhvillimit, përpunimit  dhe prodhimin e mineraleve, si dhe infrastrukturën e projekteve energjetike”.

 Nga hetimet, rezulton se kjo shoqëri është fiktive pasi nuk ka zhvilluar aktivitet ekonomik, ndërsa në llogaritë e kësaj shoqërie janë kryer transaksione financiare që shkojnë në miliona euro. Në asnjë rast nuk janë lëshuar kupona tatimor.

 Prokuroria:  Gjatë periudhës 2006-2015 janë bërë transferta hyrëse nga jashtë në shoqërinë “Adriatic Development Corporation” në vlerën 9,852,839.86 USD dhe 800,000 euro. Nga hetimi ka rezultuar se nuk gjenden dokumente mbështetëse që të justifikojnë vlerat e arkëtuara.Gjatë periudhës 2006-2015, për të gjitha transfertat dalëse nga shoqëria Adriatic Development Corporation në drejtim të individëve dhe shoqërive të ndryshme nuk gjenden dokumente mbështetëse që të justifikojnë vlerat e paguara. Si dërgues parash, rezulton, ndër të tjera, edhe një kompani me qendër në Zvicër. 

Paratë e përfituara nga dërguesi i mësipërm në emër të Shoqërisë “Adriatic Development Corporation” Ltd, janë transferuar më pas jashtë vendit. Transferimi është bërë duke e copëzuar shumën në pjesë të ndryshme , ku si përfitues janë kompani dhe shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Përshkrimet në transfertat dalëse janë trajtuar si pagesa për studime fizibileteti ne projekte minierash, për shërbime ligjore, për shpenzime zyra, për konsulence, por nuk rezulton të jetë depozituar ndonjë dokument justifikues dhe në mënyrë të veçantë kontrata apo marrëveshje, të cilat lidhin shoqërinë “Adriatic Development Corporation” Ltd me shoqëritë dhe personat në emër të të cilëve transferohen paratë. Rezulton gjithashtu se, megjithë transferat e shumta dhe në vlera monetare të konsiderueshme, shoqëria nuk ka kryer deklarimet përkatëse në tatime, duke provuar se ato kanë qenë fiktive.

Shumat, për të cilat Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin, aktualisht janë të sekuestruara fillimisht nga Prokuroria e Tiranës dhe më tej edhe nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në momentin e sekuestrimit preventiv të kërkuar nga Prokuroria e Tiranës, gjendja e llogarive bankare në emër të të pandehurit Kastriot Ismailaj është sasia e parave që tashmë kërkohet të konfiskohet.