Ikjet nga partitë e mëdha politike dhe krijimet e partive të reja në 26 vite

Ikja e Agron Dukës nga Partia Republikane dhe marrja e drejtimit të Partisë Agrare është vetëm nga lëvizjet e shumta. Në 26 vite ka ndodhur në jo pak raste kur politikanë me mandat parlamentar ose me poste drejtuese të larta në një nga partitë e mëdha politike, kanë vendosur të shkëputen duke krijuar parti të reja. “Në shumicën e rasteve motiv ka qenë mungesa e demokracisë së brendshme dhe shanseve të konkurrimit me kryetarin – lider të partisë, – por vitet e fundit ka tendencë të ikjes me motivin e marketingut politik, – gjetjes së një posti të lirë kryetari si shans për të siguruar mandat parlamentar në koalicion me njërën prej partive të mëdha”, shkruan Instituti i Studimeve Politike.Nga mbi 116 parti të vogla politike, vetëm dy parti janë shkrirë (PDR dhe PLDNJ), një tjetër lajmëroi se është shkrirë (PSV91), të tjerat jetojnë e mbijetojnë, kryesisht në koalicione në kujdestarinë e partive të mëdha.Pas vitit 2009, sipas Institutit në fjalë, rregullat kanë ndryshuar: sikur 140 deputetët të vendosin të krijojnë një parti të re politike ata janë të detyruar të mbledhin 3000 firma për ta themeluar partinë dhe shumë më tepër firma të tjera për ta regjistruar si subjekt zgjedhor.“Kjo praktikë shtegtuese penalizon përpjekjet e politikanëve për të krijuar parti të reja, ndaj mekanizmi i ri që mund të aplikohet është ‘blerja’ e partive të vogla që janë miratuar në gjykatë vite më parë, por që janë in-aktive në jetën politike. Të paktën një parti ka deputet aktualisht në parlament përmes këtij mekanizmi, blerjes së një partie legjitime dhe konkurrimin në emër të saj në koalicion me PS ose PD, pa pasur nevojë për firma mbështetëse. E njëjta praktikë pritet të ndodh edhe në vitet në vijim, derisa ligji i partive politike të rishikohet dhe praktika integrale e legalizimit të partive të bëhet më demokratike, më liberale dhe më konkurruese në zgjedhje”, thuhet më tej.ndryshim-partish /Ora News/