Status i favorizuar për refugjatët sirianë në Egjipt

Më shumë se një milion sirianë i kanë shpëtuar konfliktit në vendin e tyre, duke kërkuar strehim në shtetet fqinje. Shumë prej tyre kanë shkuar në Egjipt, ku në një zonë vetëm pak kilometra në perëndim të Kajros është krijuar një "Siri e vogël".Wael Mustafa u largua nga Siria vitin e kaluar me familjen, aftësinë e tij për të gatuar dhe fare pak gjëra të tjera.Pas braktisjes së shtëpisë së tyre të shkatërruar në periferi të Damaskut, Waeli, gruaja e tij, fëmijët dhe prindërit e moshuar kaluan muaj duke kërkuar siguri në qytete të ndryshme të vendit. Por lufta i ndiqte gjithmonë nga pas. Prandaj, ata shkuan në Bejrut, e më pas në Kajro.Waeli punon në një restorant në "Sirinë e vogël", një lagje në një qytet të shkretëtirës në perëndim të Kajros. Ai është një prej 140 mijë refugjatëve sirianë në Egjipt. Shumica e tyre janë kundër presidentit sirian Bashar al-Asad. Një nga dyqanet aty është "Furra e Revolucionit".Shumë refugjatë arrijnë vetëm të kalojnë kufirin, dhe gjejnë strehim në kampe në Jordani e vende të tjera fqinje, duke përbërë problem për vendet pritëse. Profesor Said Sadek thotë se, në rastin e refugjatëve në Egjipt, kjo nuk është e vërtetë."Ata nuk janë luftëtarë. Ata janë njerëz të klasës së mesme me të ardhura mesatare, të cilëve iu desh t’i shpëtonin mizorive dhe dhunës. Kjo është një shtëpi e dytë për ta" theksoi ai.Egjipti dhe Siria dikur ishin pjesë të Republikës së Bashkuar Arabe, dhe lidhjet familjare, kulturore dhe fetare si myslimanë suni janë të thella. Qeveria egjiptiane i trajton ata shumë ndryshe nga refugjatët që vijnë nga vende të tjera si Iraku, Sudani apo tokat palestineze.Por disa shqetësohen se sa kohë mund të zgjasë ky vullnet i mirë, pasi Egjipti ka problemet e veta. Dhe me vazhdimin e konfliktit në Siri, refugjatët, përfshi Waelin , janë të pasigurt se kur mund të kthehen