Siri, 80 mijë viktima bilanci tragjik i dy viteve luftime
Gati dy vjet më parë, kur grupet opozitare morën armët ndaj presidentit të Sirisë, Bashar Al Assad, ky i fundit i quajti "rebelë" dhe i akuzonte se ishin të nxitur nga Amerika.Presidenti që udhëheq vendin me stil diktatori tha se ata nuk përbënin shqetësim për sigurinë e vendit, por nuk kurseu të nxirrte ushtrinë që të luftonte ata që ndanin mendime të ndryshme me të për qeverisjen dhe ndërmarrjen e reformave demokratike. Luftimet, sporadike të nisura nga zonat periferike ngadalë u përhapën në të gjithë vendin, i cili tashmë, megjithëse nuk pranohet zyrtarisht ndodhet gati në luftë civile. Një luftë që llogaritet se ka lënë pas 80 mijë viktima, gjysma e të cilëve civilë.Bilanci i frikshëm bëhet i ditur nga Observatori sirian i të drejtave të njeriut. Të dhënat tregojnë se 4.788 fëmijë, 3.048 gra dhe 12 mijë të tjerë janë ushtarë ose paramilitarë mbështetës të regjimit në fuqi të Bashar Al Assad. Por, shifrat reale të luftës mund të jetë dyfishi i bilancit që bëhet i ditur nga qendra siriane e të drejtave me seli në Londër. Një shifër e frikshme kjo, të cilën as Observatori nuk rrezikon ta publikojë.Megjithëse bilancet e viktimave duhen marrë me rezerva, pasi asnjë burim i pavarur nuk arrin ti verifikojë, një gjë është e sigurtë: Lufta në Siri po shkakton shumë viktima dhe po lë pas vetëm shkatërrim.