Dade:Të hapet gara për kryetarin e PS, mos nxirrni për çdo kritikë “Ujkun Sali”
Me nota të thella kritike si anjëherë tjetër, deputetja Arta Dade ka insistuar fort në fjalën e saj në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS që u mbajt të mërkurën, që të hapet gara për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie.Dade kërkoi caktimin e një date në Kongres, duke kundërshtuar dhe idenë e hedhur nga kryeministri Rama për të shkuar në referendum.Dade: “Mendoj që ju këtu, kryetari i partisë, Kongresi duhet të caktojmë një datë nga Kongresi deri në zgjedhjen e Kryesisë së re që të hapet gara. Nuk dua të merrem fare me Blushin që ka shpall kandidaturën.Po marr veten time, pa modesti, kur mund të më krijohet mundësia të kandidoj dhe të bëhem kryetare partie, pa inspiruar për tu bërë Kryeministër? Duke mos ja ndërprerë mandatin Kryeministrit, sepse Kryeministri e paragjykon edhe referendumin dhe thotë do të jetë një pyetje: A jeni dakort ju që të ndërpritet mandati? Dhe në momentin që bëhet kjo pyetje për referendum, është gara e paragjykuar. Jam e bindur që socialistët, përfshirë dhe ne këtu, nuk jemi dakort dhe do të luftojmë përsëri që të fitojë një mandat të dytë kjo qeveri”.Dade u kujtoi kolegëve se në PS gjithmonë është dënuar veprimi dhe jo mendimi. Sipas saj se je kritik dhe mendon ndryshe jo domosdoshmërisht se si Saliu.Dade: Personalisht nuk kompleksohem as kur përmendet Saliu, as kur përmendet dikush tjetër sepse pastaj më vjen një pyetje në mendje: Njerëzit a na votuan që të bëjmë drejtësi dhe Saliun ta vinim përpara përgjegjësisë ligjore? Përse edhe në mbledhjet dhe forumet e partisë del Saliu? Ne si deputetë dhe anëtarë të kësaj Asambleje nuk kemi gjë në dorë që ti bëjmë gati dosjet Saliut për ta çuar përpara drejtësisë.Kur më pyetën atëherë a e jep dorëheqjen për tu bërë Ministër, pra a e dorëzon mandatin, sigurisht që nuk do ta bëja kurrë këtë gjë. Nuk dua të them që bënë gabim ata që e bënë dhe kjo ishte zgjedhja e tyre, por thashë që kjo nuk është arsye e fortë të dorëzosh mandatin e deputetit. Arsye e fortë është të dorëzosh mandatin e deputetit nëse nuk do të bëhet drejtësi për Sali Berishën. Do të distancohem nga paralelet që hiqen të papërligjura midis kritikave që vinë, qoftë edhe në zbatim të politikave të programit që ka marrë votëbesimin nga elektorati, por edhe besimin tonë si deputetë në parlament.Për Arta Daden aktualisht Partia Socialiste po vuan nga sindroma e mosbatueshmërisë. Sipas saj është e pamotivuar arsyeja që meqë nuk zbatohet statuti aktual, të ndryshohet.Dhe këtu ajo pyet: Kush jep garanci që do të zbatohet statuti i ri që do të miratohet në Kongresin e PS?Lidhur me paralelet e hedhura me laburistët në Angli, Dade ka këtë koment:Dade:Partia Laburiste mbledh Kongresin dhe Konventën e saj çdo vit.Dhe çdo vit një sfidant mbledh 30% të firmave të Konventës dhe hapet gara jo siç është bërë në statutin e ri që të dal unë të mbledh 10% të firmave të Kongresit dhe pastaj Kongresi të votojë nëse unë duhet të hyj në garë me 50+1. Këto janë artifica që e mbysin demokracinë dhe nuk krijojnë shanse të barabarta për të drejtuar një parti kaq të madhe.Dade shkoi më tej kur tha: “Në moment që do të gjykoja që do të thellohet mbytja e frymës demokratike po jua them që në një çerek shekulli të milituar në një forcë kaq demokratike që i ka dhënë vendit kaq shumë zhvillim nuk është ndonjë dramë e madhe që të largohesh dhe këtë e them me bindje të plotë”.Në përfundim një mesazh pati edhe për të rinjtë në këtë parti:Dade: Nëse këta të rinj do të mësohen që duhet të bëjnë karrierën në politikë duke heshtur, duke mos thënë atë që mendojnë sepse do të vijë koha që do të futen në lista, unë me keqardhje e them që kjo parti nuk mund të ketë të ardhme. Personalisht nuk kam qenë asnjëherë konformiste me asnjë nga drejtuesit e partisë.Dhe ja ku jam.Fjalimi i plotë i deputetes Arta Dades në Asamblenë Kombëtare të PSDua ti përshëndes të gjithë meqë është mbledhja e fundit dhe mbase ku e di unë sa mbledhje kemi bërë, dy ose tre. Nuk kemi pasur dhe mundësi të flasim më gjatë dhe të dimë se çka bërë secili nga ne në këtë fazë të llogaridhënies për një forum i cili zgjidhet nga një Kongres. E dëgjova me shumë vëmendje edhe fjalën e Kryetarit, padyshim që pati nota që unë mendoj që bëri një reflektim dhe vazhdimisht shpresoj deri ditën e Kongresit që ky reflektim të konkretizohet me një kërkesë që nuk është kapriço, nuk është as personale, nuk ka as axhendë të fshehur, nuk ka as arsye për të demonizuar as njërin, as tjetrin. Ka një arsye shumë të fortë, që në zgjedhjet që vinë ne të kemi një kryetar të partisë me një mandat të fortë që të na çojë në një fitore tjetër. Në një palë zgjedhje nuk mund të hysh me një kryetar që i bie 8 vjet pa u zgjedhur. Dhe nëse do të zbatohet propozimi sipas leibër, i bie që do ti vijë radha dikujt tjetër pas 12 vjetësh të hapet garë në parti. Unë si anëtarja e parë e PS që daton në datën 12 qershor 1991 nuk mund të pranoj sepse vetë kam mbajtur detyra të caktuara duke kaluar përmes garave të vështira. Garë dhe për Asamblenë sepse dikur na zgjidhte Kongresi dhe për anëtarë të Asamblesë, tani hymë për shkak se jemi deputetë, gara për Kryesi. Kujtoj garën e fundit për Kryesi që ishte e vështirë, madje kishte edhe porosi që të hiqej emri. Është një Kryesi që u zgjodh me katër standarte, u shkelën dhe rregullat dhe kriteret, megjithëse nuk do ti hyj analizës sesi u zgjodh Kryesia në Kongresin e fundit. Dikush tha këtu se pse nuk kemi folur më përpara? Personalisht bëj shumë kujdes edhe kur flas, sigurisht vështirë është të flasësh publikisht sepse kur flet publikisht unë marr në konsideratë ndjesitë, mendimet, sensibilitetet e atyre që përbëjnë PS, anëtarësia e thjeshtë. Personalisht nuk kompleksohem as kur përmendet Saliu, as kur përmendet dikush tjetër sepse pastaj më vjen një pyetje në mendje: Njerëzit a na votuan që të bëjmë drejtësi dhe Saliun ta vinim përpara përgjegjësisë ligjore? Përse edhe në mbledhjet dhe forumet e partisë del Saliu? Ne si deputetë dhe anëtarë të kësaj Asambleje nuk kemi gjë në dorë që ti bëjmë gati dosjet Saliut për ta çuar përpara drejtësisë.Kur më pyetën atëherë a e jep dorëheqjen për tu bërë Ministër, pra a e dorëzon mandatin, sigurisht që nuk do ta bëja kurrë këtë gjë. Nuk dua të them që bënë gabim ata që e bënë dhe kjo ishte zgjedhja e tyre, por thashë që kjo nuk është arsye e fortë të dorëzosh mandatin e deputetit. Arsye e fortë është të dorëzosh mandatin e deputetit nëse nuk do të bëhet drejtësi për Sali Berishën. Do të distancohem nga paralelet që hiqen të papërligjura midis kritikave që vinë, qoftë edhe në zbatim të politikave të programit që ka marrë votëbesimin nga elektorati, por edhe besimin tonë si deputetë në parlament. Asnjëherë as në Amerikë, as në Angli, as në Suedi nuk ka qeveri të përkryera dhe në fakt ne si deputetë apo dhe anëtarë të kësaj Asambleje duhet të sjellim në takimet tona sensibilitetet e atyre që ndjejnë efektet e qeverisjes, a janë ato pozitive dhe hajde ti propagandojmë, por ka dhe sensibilitete negative të cilat nuk kanë shkuar, nuk kanë prekur një jetesë më të mirë tek njerëzit që ne takojmë edhe si deputetë. Dhe është e udhës që ne këto ti themi, sigurisht secili ka mënyrën e vet dhe mban përgjegjësi vet për mënyrën sesi i shpreh, por unë nuk mund të bie dakort që sa herë thuhet diçka të na nxirret përpara ujku Sali në mënyrë që delet të ruajnë peshën e tyre dhe të mos shtojnë në peshë sipas një proverbi të popullit.Ashtu sikurse dua të distancohem nga disa fjalë të urta apo thënie që mua më kujtojnë kohën kur kam qenë e re dhe përgjithësisht në atë kohë udhëheqësit e Partisë së Punës i përdornin për imperializimin sovjeto-amerikan dhe revizionizmin që ne si fanar ndriçues i socializimit duhet të ecim përpara dhe të tjerët që nuk na e njihnin këtë të drejtë mund të na ngacmonin. Lidhur me pse nuk i kemi thënë deri tani këto gjëra, unë jam munduar, ndoshta ndonjëherë edhe me elegancë në ndonjë artikull dhe përsëri jam kritikuar pse kam folur tek mediat e Saliut, të cilat tani këto media na janë bërë ortake, platformat tona dhe e kam thënë dhe në parlament, kemi ndërruar klientelën.Pra klientët kanë ndërruar vetëm duar.Të vimë tek statuti, përsëri mendoj që ju këtu, kryetari i partisë, Kongresi duhet të caktojmë një datë nga Kongresi deri në zgjedhjen e Kryesisë së re që të hapet gara. Nuk dua të merrem fare me Blushin që ka shpall kandidaturën.Po marr veten time, pa modesti, kur mund të më krijohet mundësia të kandidoj dhe të bëhem kryetare partie, pa inspiruar për tu bërë Kryeministër? Duke mos ja ndërprerë mandatin Kryeministrit, sepse Kryeministri e paragjykon edhe referendumin dhe thotë do të jetë një pyetje: A jeni dakort ju që të ndërpritet mandati? Dhe në momentin që bëhet kjo pyetje për referendum, është gara e paragjykuar. Jam e bindur që socialistët, përfshirë dhe ne këtu, nuk jemi dakort dhe do të luftojmë përsëri që të fitojë një mandat të dytë kjo qeveri. Në PS edhe sipas dokumentave bazë që ne kemi fjala nuk dënohet, dënohet veprimi. Le të diskutojmë një rast kur janë miratuar reformat dhe janë mbështetur reformat, cili nga deputetët ka dhënë votën kundër?Aty duket sesa mbështeten reformat. Të gjithë kanë marrë pjesë në diskutim, kanë mbështetur që nga dita e parë këtë qeveri, megjithëse Kryesia nuk është pyetur dhe mëgjithëhse ashtu siç thotë dhe Pandi që Blushi ka të drejtë por është me Ramën, këtu mund të jenë shumë që mund të kenë të njëjtin mendim. Pra gara duhet bërë dhe secili është i lutur, mua po të më mbushet mendja deri në Kongres sigurisht që dhe unë shpall kandidaturën sepse nuk mund të ma mohojë kush këtë të drejtë. Për të bërë paralelizmin me Partinë Laburiste, e bëri Maqua, por harroi të thoshte diçka tjetër që Partia Laburiste mbledh Kongresin dhe Konventën e saj çdo vit.Dhe çdo vit një sfidant mbledh 30% të firmave të Konventës dhe hapet gara jo siç është bërë në statutin e ri që të dal unë të mbledh 10% të firmave të Kongresit dhe pastaj Kongresi të votojë nëse unë duhet të hyj në garë me 50+1. Këto janë artifica që e mbysin demokracinë dhe nuk krijojnë shanse të barabarta për të drejtuar një parti kaq të madhe. Dhe unë në moment që do të gjykoja që do të thellohet mbytja e frymës demokratike po jua them që në një çerek shekulli të milituar në një forcë kaq demokratike që i ka dhënë vendit kaq shumë zhvillim nuk është ndonjë dramë e madhe që të largohesh dhe këtë e them me bindje të plotë.Sepse asnjëherë nuk jam ndjerë keq që kam qenë në këtë parti.Vërtet ka pasur gara që mund të kenë shkuar përtej disa limiteve, por këtu ka pasur garë, mendim, debat dhe kjo ka bërë që ne të gjejmë alternativat më të mira edhe për të drejtuar partinë, por edhe për të qeverisur. Nëse statuti nuk është zbatuar dhe këtu nuk pamë asnjë arsye, do tu lutesha edhe kolegëve të cilët i falenderoj që kanë punuar për statutin, megjithëse u tha dhe një emër këtu që unë e di shumë mirë që as ka ardhur ndonjëherë nëpër mbledhje, nuk është fare as anëtar i Asamblesë dhe a ka ndonjë vlerësim pse nuk u zbatua ky statut? Dhe unë shtroj pyetjen: Çfarë do të na bëjë ne që të zbatojmë statutin që do miratojmë në Kongres? Kur nuk kemi asnjë arsye që nuk kemi mbledhur Kryesinë, nuk kemi asnjë arsye që nuk është mbledhur Asambleja, nuk kemi asnjë arsye që nuk është bërë transparenca financiare dhe vlerësimi për shpenzimet dhe buxhetin. Kush i jep këto garanci që statuti që do të kalojmë do të miratohet. U tha këtu që mbledhjet e Kryesisë nuk janë bërë, por janë bërë mbledhjet e kryesisë së grupit dhe Ministrave socialistë, sigurisht unë jam pjesë e këtyre mbledhjeve, në to diskutohet axhenda e parlamentit dhe avancimi apo nismat legjislative. Ne nuk diskutojmë çështje dhe problematikë të partisë në këto mbledhje, po qoftë dhe në mbledhjen e grupit. Rasti më i freskët është dita e hënë ku kryetari i grupit tha incidenti i Elbasanit nuk diskutohet në grup megjithëse ishin 8 deputetë atje por do të diskutohet në strukturat e partisë. Pra është e njëjta gjë.Mbledhjet e grupit kanë qenë vetëm për axhendën e parlamentit dhe çështjet e partisë nuk janë diskutuar, atëherë ku trajtohen këto? Përveç që është bërë një strukturë shumë e vështirë për tu lëvizur, duke bashkuar nga dy qarqe dhe duke vënë në mënyrë arbitrare ata që i drejtojnë këto, nuk po flas për kolëgët që i drejtojnë, por qoftë dhe Ministrat.Ministra që kanë kaq shumë punë merren tani me organizimin e partisë në dy qarqe, sepse ka thënie dhe kundërthënie këtu dhe në ato shpjegimet që jepen. Nëse nuk kemi kohë të bëjmë një ditë zgjedhje në parti, po kemi kohë që Ministrat që duhet të merren në bazë ditore apo javore me problematikën e partisë.Nuk pengohen për tu marrë me problemet e partisë. Vimë tek koncepti që meqenëse nuk e zbatojmë statutin ta ndryshojmë, mentaliteti që zë vend edhe në drejtimin e qeverisë ose dhe shoqërisë. Nëqoftëse një ligj nuk zbatohet duhet të dimë pse nuk është zbatuar dhe ta sjellim ligjin në shinat e zbatueshmërisë. Zgjidhja që meqenëse nuk u zbatua ta ndryshojmë nuk është zgjidhje sepse nuk ke asnjë garanci që nuk do të përsëritet. Kemi pasur raste edhe të ligjeve, debateve që i kemi bërë. Sepse meqenëse Saliu nuk zbatoi një ligj, ne i japim Saliut të gjithë të drejtën që nuk e zbatoi dhe e ndryshojmë ligjin, Në fakt duhet të jetë e kundërta. Për paralele, kështu ndodhi dhe me statutin.Ju bëj dhe njëherë thirrje duke ju falenderuar që e futët në rend ditë kërkesën që ne kemi bërë dhe do ti bënim nder në radhë të parë kryetarit të partisë, do ti bënim nder këtij forumi, Kongresit, do ti bënim nder dhe partisë dhe do ti jepnim një mesazh të fuqishëm shoqërisë që PS respekton rregullat brenda vetes së vet dhe pastaj kërkon që ato të zbatohen në shoqëri. Dua të distancohem nga ndonjë koleg që në një nga takimet ka thënë: E ç’është statuti? Nëqoftëse do të kemi mendimin se ç’është statuti atëherë duhet bërë ndryshimi tek neni i statutit që thotë anëtari i PS është ai që pranon dokumentat, programin dhe statutin. Ose mund të shkojmë edhe më tutje, të miratojmë ndonjë propozim që mos kemi statut fare. Prandaj unë i përmbahem mendimit që Kongresi duhet të përcaktojë një datë për hapjen e garës në parti, të kandidojnë kush e mendon që mund të drejtojë partinë, të hapet gara dhe ne ti japim mesazhin njerëzve që ne respektojmë rregullat. Pastaj a do ta bëjmë si laburistët, apo do ta bëjmë ku e di unë, se në Partinë Socialiste Europiane nuk ka parti që kryetari nuk zgjidhet njëherë në katër vjet. Është kjo e veçantë e laburistëve, të tjerët nuk e kanë. Ne para se ta bëjmë siç e bëjnë laburistët hajde ta marrim një integral si e kanë librin e rregullave laburistët. Se merr një element këtu, një atje. Ne kemi statutin tonë që është një statut që e bën realisht partinë me një demokraci të brendshme funksionale, por duhet zbatuar. Falenderoj dhe kolegët e Komisionit të Garancive Statutore që na dëgjuan, nuk e kam lexuar deri në fund vendimin se sot e kam marrë por në një sy që i hodha, përgjigjet që dha kryetari i partisë janë të përfshira në përgjigjen që kemi marrë ne të KGS. Dhe për një koleg tonin që u paraqit me ne aty ka patur dhe qesëndisje në media të cilat çuditem sesi mund të quhen arkeologji politike se po të jetë për arkeologji politike KGS kishte ca arkeologë politikë dhe ai tjetri që erdhi me shumë dinjitet dhe që e ka drejtuar atë Komision sigurisht nuk ka të bëjë fare me arkeologjinë politike. Do ti lutesha Fatmirit që atë nenin që respektohen kontributet dhe ata që 25 vjet hoqën kohë nga koha e tyre, nga jeta e tyre personale, nga jeta e fëmijëve të tyre, prindërve të tyre, në rastin tim edhe nga jeta e fëmijëve të fëmijëve të mi. Nëse këta të rinj do të mësohen që duhet të bëjnë karrierën në politikë duke heshtur, duke mos thënë atë që mendojnë sepse do të vijë koha që do të futen në lista, unë me keqardhje e them që kjo parti nuk mund të ketë të ardhme. Personalisht nuk kam qenë asnjëherë konformiste me asnjë nga drejtuesit e partisë.Dhe ja ku jam. Faleminderit!