Totozani: Çdo qeveri ka detyrim të trajtojë në mënyrë dinjitoze çdo qytetar

Avokati i Popullit, Igli Totozani, u prit dje, në një takim të veçantë nga Ministri i Drejtësisë në Maqedoni Adnan Jashari. Në këtë takim  Totozani shoqërohej nga homologu i tij, Avokati i Popullit të Maqedonisë Ixhet Memeti.Mbrojtja e lirive dhe garantimi i të drejtave të njeriut në kuadër të Konventës kundër Torturës dhe Dënimeve të tjera Çnjerëzore dhe Degraduese u vunë në qendër të bisedimeve. Në takim u theksua nevoja për bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë drejtim.Avokati i Popullit, Igli Totozani tha se çdo shtet dhe qeveri ka detyrimin të mbrojë dhe të trajtojë në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë qytetarët e tij, e sidomos ata që janë në nevojë.Ministri i Drejtësisë së Maqedonisë, Jashari e informoi  Totozani lidhur me përpjekjet për disa ndryshime në ligjin për Avokatin e Popullit, që në harmoni me Principet e Parisit do t’i mundësojë Avokatit të Popullit të Maqedonisë marrjen e statusit A.Gjithashtu, Jashari tha se “duke pasur parasysh parimet themelore mbi të cilat bazohet një shoqëri demokratike moderne, një ndër përgjegjësitë tona është ndërtimi i sistemit që mundëson shkallë të lartë të përgjegjësisë nga ana e institucioneve shtetërore, në drejtim të realizimit të obligimeve te tyre për respektimin , mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut”.Avokati i Popullit Igli Totozani ndaloi sot edhe në Kosovë, ku u takua me homologun e tij Kosovar  Ilmi Jashari, si dhe ambasadorin tonë Qemal Minxhozi.  Në këtë takim u bisedua mbi marrëveshjen e bashkëpunimit të dy institucioneve atë të Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe të Kosovës, të shoqëruara deri tani me raporte të shkëlqyera institucionale.