Kulti i individit të ri, Basha: Ky është interesi i forcës politike që unë drejtoj

Në një aktivitet për 25 vjetorin e rënies së komunizmit, lideri i opozitës Lulzim Basha tha se Shqipëria ka nevojë për kultin e individit të ri, i cili të jetë aksioner në demokraci dhe t’i prijë protestës sa herë qeveria e zhgënjen.Basha tha se pikërisht ky profil i individit të ri është edhe interesi i forcës politike që ai drejton .Lulzim Basha:  “Shqipëria ka nevojë për kultin e individit, jo për kultin e individit diktatorial, jo për kultin e individit që shembëm 20 vite më parë por për kultin e individit të lirë pa të cilin demokracia mbetet një formalitet, e individit të lirë të këtij tipari të demokracisë perëndimore i cili është aksionerii vërtetë i shtetit si kontratë, i demokracisë, i individit që e kupton se shteti nuk disponon asnjë mjet sepse të gjitha mjetet burojnë nga individi . Paratë që shteti i destinon janë paratë e taksave që paguan individi. Të drejtat që shteti mbron janë të drejtat natyrale dhe hyjnore të individit. Liritë që shteti duhet të garantojë janë liritë natyrale të individit dhe aspiratat që shteti duhet të investojë janë aspiratat legjitime të individit, pra të kultit të qytetarit të lirë i cili në demokraci nuk është thjesht vlerësuesi me rrotë një herë në 4 vitë i qeverisjes por është dhe duhet të jetë dhe guardiani i qeverisjes i cili nuk ka nevojë as të pritet as të simulohet në protestë, por i prin protestës sa herë që qeverisja e lënë në baltë e kërcënon apo më keq e kthen në kohën e errta dhe e trajton si rob, si skllav, si qënie që duhet të jetë e lumtur që i shtrëngon dorën udhëheqësit për të marrë tapinë e legalizimit që i takon”./Oranews.tv/