Edhe Ambasadori amerikan në takimin e së hënës të thirrur nga Jahjaga

Në takimin e së hënës mes liderëve politikë të Kosovës, të thirrur nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, do të marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Për KosovaPress, zëdhënësi i ambasadës amerikane, Philip Drewry, konfirmoi se ambasadori Delawie është pajtuar që të marrë pjesë në këtë takim.“Ambasadori është pajtuar që të marrë pjesë në këtë takim të thirrur nga presidentja, si dhe mbështet përpjekjet e saj që të ndihmojë partitë politike të gjejnë gjuhën e përbashkët”, tha Drewry.Ndërkohë, sot në një konferencë për media pjesëmarrjen në takimin e së hënës që fillon në ora 09:00, e kanë konfirmuar edhe dy partnerët e koalicionit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi.Në anën tjetër, dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe NISMA, kanë dhënë përgjigje të qartë se nuk do të marrin pjesë në këtë takim. Bilall Sherifi nga NISMA tha sot se në këtë takim opozita do të shkonte vetëm sa për të caktuar datën dhe modalitetet e tjera zgjedhore, pasi ka kaluar koha e bisedimeve.Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, transmetuesit publik i ka thënë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thuajse ka vendosur që të marrë pjesë në këtë takim. Mirëpo, sipas tij, një vendim definitiv do të merret nesër. /KosovaPress/