Bombolat e gazit, ekspertët: Pjesa më e madhe hyjnë në mënyrë jo-ligjore
Ekspertë të naftës dhe gazit japin alarmin në lidhje me standartet e bombolave që përdoren në Shqipëri.Vladimir Puka, inxhinier i naftës dhe i gazit deklaron se bombolat e gazit që përdorin qytetarët shqiptarë duhet të nxirren jashtë përdorimit.Ndërkohë që shqetësime ngrihen edhe për organet e inspektimit të këtij sektori.Bombolat që përdorin qytetarët shqiptarë janë jashtë standarteve dhe të futura kontrabandë në vend.Eksperti, Vladimir Puka, deklaron se shteti duhet të ndërhyjë për të nxjerrë jashtë përdorimit këto bombola, të cilat i vlerëson mjaft të rrezikshme.Vladimir Puka: Një pjesë e madhe e tyre për mendimin tim duhet të dalin mënjëherë jashtë. Nuk ka të tilla bombola, me kondicione të theksuara të dobëta sigurie. Janë pa dyshim të vjetra mendohet se një pjesë e tyre janë të hequra nga inventarët e vëndeve të tjera dhe janë sjellë në vëndin tonë, në rrugë jo ligjore.Sipas ekspertit duhet të ndërhyhet menjëherë në krijimin e qendrave të posaçme për tregtimin e gazit, të cilat duhet të realizojnë edhe kolaudimin e bombolave.Vladimir Puka: Monitorimi dhe kontrolli akoma është i dobët. Pikërisht për arsyen se tregu është relativisht i ri dhe të gjitha këto aspektet rregullatore gradualisht janë duke u forcuar.Shqetësime ngrihen ndërkohë edhe për funksionin e institucioneve të inspektimit për këtë sektor.Vladimir Puka: Është e nevojshme të përcaktohen saktësisht, të paktën për sa i përket pjesës së tregtimit me pakicë të kësaj lëndë djegëse për familjarë, se ku do ta kryejë, kush do ta kryejë dhe ku do të shkojë le ta themi familjarët për tu furnizuar me gaz.Bombolat e gazit dhe rreziku që ato mbartin për qytetarët janë kthyer në vëmendje të qytetarëve, pasi ditët e fundit shpërthimi i bombolave shkaktoi një viktimë dhe plagosi rreth 30 persona.