Ariu i murrmë, në rrezik për t’u zhdukur
TIRANË,4 Shkurt / ATSH /- Gjatë monitorimeve në terren në fillim të muajit janar, aktivistët e ASPBM kanë konstatuar dy arinj të mbyllur në kafaz, në një lokal në afërsi të fshatit Bisht Kamëz (Gjiri i Lalzit). Megjithëse ka kaluar gati një muaj nga njoftimi , ende nuk është marrë asnjë masë për rehabilitimin e tyre. Arinjtë janë individë të rinj, që mesa duket do të përdoren për tërheqjen e vizitorëve pranë kompleksit ku dhe janë vendosur kafazët. Por se sa këta ‘protagonistë’ do të arrijnë të argëtojnë pushuesit, kjo mbetet per t’u diskutuar.Në këtë përiudhe normalisht arinjtë duhet të ishin në fazën e letargjisë, të cilën preferojnë ta kalojnë në vende të mbrojtura si shpellat apo zgavrat. Por për këta dy individë, cikli duket i pamundur të vijojë në kushtet ku ata po mbahen të burgosur.Sot, ariu i murrmë është lloj i mbrojtur, madje me statusin e përkeqësuar deri në rrezik zhdukje. Vitet e fundit popullata e tyre është zvogëluar në mënyrë drastike për shkak të shpyllëzimeve masive, dëmtimit të habitateve të tyre dhe pakësimit të rezervave ushqimore. Mesa duket, këtij kërcënimi i shtohet edhe kapja e burgosja tepër brutale e këlyshve apo individëve të rritur në kafazë. Për fat të keq ky nuk është i vetmi rast i burgosjes së arinjve, pasi në Shqipëri ekzistojnë mbi 50 kafazë të tjerë.Duhet që strukturat përgjegjëse për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit të marrin masat e duhura për të mos lejuar zhdukjen edhe të këtij lloji në vendin tonë./n.l//f.n//Marrë nga ATA/