Nga Kukësi në Shkodër, probleme me qarkullimin

Mjegulla e dendur që ka përfshirë rajonin e Kukësit dhe të Shkodrës ka sjellë probleme me qarkullimin rrugor. Efektivët apelojnë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes për të shmangur aksidente të mundshme, ndërkohë që mjegulla ka sjellë probleme me virozat tek banorët e zonës.Mjegulla e dendur ka "pushtuar" verilindjen e vendit duke sjellë jo pak probleme në drejtim të qarkullimit të automjeteve në akset rrugore.Gjatë mesditës së të shtunës problemet më të mëdha janë shënuar në akset rrugore Kukës-Peshkopi, Kukës-Shishtavec, Kukës-Krumë, Kalimash-Kukës-Morin, ku drejtuesit e automjeteve janë detyruar që të ecin me shpejtësi të ulët për të parandaluar aksidente të mundshme rrugore.Ndërkohë, efektivët e policisë së qarkullimit rrugor i kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të bëjnë kujdes, me qarkullimin në rrugë. Edhe në qytetin e Kukësit mjegulla e pranishme, ka sjellë jo pak probleme tek shëndeti i popullatës, duke shkaktuar probleme në rrugët e frymëmarrjes.Probleme nga mjegulla janë konstatuar edhe në qarkun e Shkodrës, kryesisht në zonën turistike Shirokë-Zogaj. Mjegulla ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve ndërsa efektivët e rrugores keshillojnë të tregohet kujdes nga drejtuesit e mjeteve.Më problematike është pjesa nga Shkodra në Shirokë, ndërsa mjegulla ka veshur edhe Malin e Taraboshit.