Tirana nderon viktimat e Holokaustit, Bushati: Shqiptarët ballëlartë para historisë
Tirana zyrtare përkujtoi sot viktimat e Holokaustit në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Jatshme ku merrnin pjesë anëtarë të kabinentit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tirane,deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile, si dhe pjesëtarë të familjeve të mbijetuara gjatë holokaustit.Kryediplomati, Ditmir Bushati, vuri në dukje marrëdhënien e veçantë të shqiptarëve me hebrenjtë, sidomos në kohën e përndjekjes së tyre nga sistemi nazist.Bushati:E drejta për të jetuar është një e drejtë thelbësore e njeriut, ndaj refuzimi i dëgjimit të klithmës në ndihmë të tjetrit, nuk mund të justifikohet në pamundësi ekonomike dhe as përligjet për të krijuar ndasi të reja. Sot, ne shqiptarët kemi ç’të tregojmë, diçka të zakonshme për ne, por diçka të jashtëzakonshme për ata që shpëtuan dhe për ata që përkujtojmë sot. Në ato kohëra të errëta, shqiptarët qëndruan ballëlartë para historisë.Ministri tha më tej se sfida është transmetimi i kësaj pjese të historisë tek brezat dhe gjeneratat më të reja.Bushati: Për këtë arsye gjatë vizitës sonë në Izrael para pak javëve ne firmosëm së bashku me një institut të rëndësishëm, një program që do të mundësojë përfshirjen e kësaj historie në kurrikulat e arsimit. Fisnikëria për të mbrojtur të tjerët, ndryshe të huajt, nën kërcënimin e vdekjes ishte më i rëndësishëm sesa rreziku për jetën e qytetarëve e familjarëve të tyre. Një vend i vogël apo i madh nuk matet me sipërfaqen e tokës.Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, solli dëshminë e familjes së tij në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Tiranë, Brian William vlerësoi shembullin shqiptar të shpëtimit të hebrenjve dhe të tolerancës ndërfetare, sidomos në ditët e sotme kur bota rrezikohet nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.“Pas pushtimit gjerman në vitin 1943, popullsia shqiptare, në një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të pajtohet me urdhrat e okupatorit për të dorëzuar hebrenjtë të cilët jetonin brenda kufijve të vendit, madje u kthye në një vend të shenjtë për refugjatët hebrenj që kishin ardhur në Shqipëri. Ndihma e jashtëzakonshme dhënë hebrenjve u bazua tek Besa, një kod nderi, i cili ende sot shërben si kodi më i lartë etik në vend”.Ambasadori i Izraelit Boaz Rodkin i akordoi në emër të Shtetit të Izraelit, medaljen e mirënjohjes Rexhep Hoxhës, për kontributin që familja e tij ka dhënë në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin, si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të Holokaustit.Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për të shfarosjen e hebrenjve.