Shpërthimi i ekspertëve: Politikanët folën për reformën por harruan zgjedhësit
Por fjalimet e politikave ishin vetëm një pjesë e tryezës së sotme e cila vijoi me tej me diskutime të eskpertëve dhe të përfaqësuesve që mbrojnë të drejtat e njeriut.Fryma politike në dukje konsensuale për reformën zgjedhore nuk ka arritur ti bindë ata përfaqësues të shoqerisë civile që njohin mirë kodin, të drejtat e zgjedhësve dhe që dinë të intepretojnë jo vetëm ligjin por edhe qëndrimet politike.Përfaqësuesja e komitetit të Helsinkit Vjollca Mece u shfaq mjaft e zhgënjyer që gjatë fjalimeve të tyre Rama, Meta dhe Basha nuk përmendën zgjedhësit.Vjollca Mece: “Të them të drejtën unë nuk jam shumë e kënaqur nga paneli i parë megjithëse më dhanë disa habere që i kushtëzuan në fund të fundit, ne nuk jemi aq naiv, ato i kushtëzuan ato habere të bukura që gjithsesi ata i dëshirojnë por ato janë të ndërvarura nga konsensusi politik. Unë u tmerrova me thënë të drejtën kur askush nga paneli parë nuk artikuloi zgjedhësin edhe pse procesi zgjedhor ka dy palë. Është si ajo peshorja që ne në drejtësi e përdorim, janë ata që konkurojnë dhe jemi që votojmë, jemi ne që zgjedhim, është momenti jonë sublim. Cili ishte mesazhi që na dhanë politikanët ne këtu? Që këto janë cështje të konsensusit politik, që ne do ta shikojmë. Ata folën për palë por palë ishin ata dhe ne s’ishim kurrë palë për ta. Prandaj unë e lash letrën time mënjanë, sepse së pari duhet të ndërgjegjësohemi për këtë punë që ne duhet të kërkojmë me forcë që ne jemi palë në këtë gjë dhe po s’jemi palë le t’ia kursejmë këtij shteti të varfër ato para që harxhon në një fushatë dhe këta që e quajnë veten palë, politikanët, le të hedhin një llotari, një short midis tyre dhe le të na japin një diktaturë me rotacion. Nëse duam demokraci atëhere populli është pala kryesore në zgjedhje. Dhe kjo do të thotë që të jesh palë në zgjedhje do të thotë që ti të jesh palë edhe kur hartohet një proces ligjor. Ç’ është ligji zgjedhor, c’ është kodi zgjedhor? Janë rregullat që do zbatohen për të garantuar një proces të rregullt. Të drejtën për proces të rregullt e kemi ne qytetarët, e kemi të sanksionuar në kushtetutë dhe ajo vlen jo vetëm për gjykatën por vlen në cdo lloj procesi ku ne jemi të përfshirë dhe në mënyrë ekselente vlen në procesin zgjedhor.”