Albin Kurti: Thaçi synon Presidencën që të mos mbetet i papunë

​Deputeti i parë që hodhi gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar dy marrëveshjet e arritura mes Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi, Albin Kurti i Vetëvendosjes, ndër tjerash, flet edhe për synimet e të parit të PDK-së, Hashim Thaçi, që të bëhet president i Republikës së Kosovës, si dhe për Murat Jasharin dhe Rexhep Qosjen si kandidatë të mundshëm që mund të propozohen nga tri partitë opozitare.Duke mohuar që Jasharit e Qosjes t’u jetë bërë një ofertë zyrtare për të kandiduar për President, në një intervistë dhënë KosovaPress-it, Kurti tha se Thaçi pas debaklit që ka pësuar si timonier i politikës së jashtme, nuk ka kredibilitet e as që përfaqëson unitet të qytetarëve si president.Madje, Kurti tha se kandidatura e Thaçit nuk është rezultat i nevojës së Kosovës, por më shumë është brengë e tij që të mos mbetet i papunë dhe të rehatohet diku në institucione.Sipas Kurtit, në një situatë të tillë politike, nuk mund të flitet për numra në Kuvendin e Kosovës. Ai Thaçin e vlerëson si politikan “superpartiak” dhe “ultraklanor”, siç tha ai, në kuptimin financiar të fjalës.Sipas Kurtit, Thaçi po synon të bëhet president në mënyrë që të mos mbetet i papunë, dhe jo pse kjo është nevojë e Kosovës.Sa i përket mundësisë që opozita ta prezantojë si kundërkandidat të Thaçit, Murat Jasharin, djalin e komandantit legjendar Adem Jashari, Kurti theksoi se një ofertë e tillë nuk i është bërë atij nga ana e Vetëvendosjes dhe opozitës. Ai tha se për t’u bërënjë gjë e tillë, është në përgjegjësinë dhe autoritetin e liderëve të opozitës.Përgjigje të njëjtë, Kurti dha edhe për raportimet lidhur me mundësinë që opozita ta kandidojë akademikun Rexhep Qosja për postin e presidentit.Duke vlerësuar se nuk është momenti për të zgjedhur presidentin e vendit për shkak të situatës së jashtëzakonshme, Kurti tha se kjo i takon organeve të subjekteve opozitare për ta diskutuar.Ndërkaq, Kurti nuk e mohoi mundësinë që opozita e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme të garojë në një listë të përbashkët zgjedhore.“Është e mundshme një gjë e tillë”, tha ai, duke shtuar se për një gjë të tillë ende nuk është hapur debati përmbajtësor pasi fokusi është në përgatitjet për protestën e ardhshme, të paralajmëruar për 17 shkurt.