Zjarr në dy qendra strehimi emigrantësh në Bavari, 12 të plagosur
Dymbëdhjetë persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe shtatë adoleshentë si pasojë e shpërthimit të zjarrit në dy qendra strehimi emigrantësh në Bavari të Gjermanisë.Policia ka arrestuar një person, pasi dyshon se zjarret ishin të qëllimshme. Bavaria është ndalesa e parë e të gjithë klandestinëve që mbërrijnë në Gjermani.Presidenti i vendit, Joachim Gauck, këtë vit mesazhin e Krishtlindjeve ua kushtoi të gjithë atyre që kanë ikur nga konflikti dhe lufta e Sirisë, Irakut apo Afganistanit.Teksa përshëndeti të gjithë ata që kanë kontribuar në përballimin e fluksit të klandestinëve, Gauck tha se toleranca për ata që ushtrojnë dhunë ndaj emigrantëve do të jetë zero."Zjarrvënia dhe sulmet ndaj njerëzve të pambrojtur meritojnë përbuzjen tonë dhe ndëshkim," tha Presidenti.Gjatë këtij viti në Gjermani ka pasur 200 sulme në qendrat e klandestinëve dhe sipas mediave gjermane, autoritetet gjermane kanë ndëshkuar vetëm një pjesë të vogël të autorëve.Megjithatë në shoqërinë gjermane ka një zemërim në rritje për fluksin e madh të klandestinëve, gjë e cila bëri që kancelarja Merkel të premojë zvogëlimin e numrit të refugjatëve javën e kaluar.Deri tani 40% e azilkërkuesve në Gjermani kanë ardhur nga vendet e Ballkanit, si Shqipëria dhe Kosova të cilat konsiderohen të sigurta, pjesa tjetër janë refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
