Ambasadori i përplasjeve qeveri-President, në krye të Analizës në SHISH
Ish-ambasadori shqiptar në OSBE, i cili shkaktoi një përplasje 11-mujore mes qeverisë dhe Presidentit, është emëruar drejtor i analizës pranë shërbimit sekret shqiptar.Emërimi i diplomatit Spiro Koçi, në strukturat e SHISH, që duket se është kthyer në një “strehë” për të “padëshiruarin” nga qeveria, është realizuar vetëm pak ditë pasi Presidenti Nishani pranoi të firmosë lirimin e tij, që ishte kërkuar që në fillim të vitit nga Kryeministri Rama.Prezantimi i ish-ambasadorit mësohet se është realizuar para katër ditësh si kreu i Drejtorisë së Analizës në aparatin qendror të Shërbimit Informativ Shtetëror, funksion i cili kishte mbetur vakant prej pak kohësh, ndërkohë që firma për lirimin e tij si ambasador në OSBE është lëshuar nga Nishani më datë 19 të këtij muaji, pavarësisht se mandati i kishte mbaruar shumë kohë më parë.Koçi ishte emëruar si përfaqësues i shtetit shqiptar pranë selisë së OSBE-së në Vjenë që më 28 shtator 2010, pra ka qëndruar pesë vite në këtë detyrë. Kërkesa e parë e qeverisë në adresë të Nishanit ishte bërë zyrtarisht nga Kryeministri Edi Rama në janar të vitit 2015. Një gjë e tillë u bë e ditur nëpërmjet letrës që kryediplomati Bushati i drejtoi Presidentit në muajin korrik të këtij viti.Pas një heshtje të gjatë nga selia e Presidencës, kreu i diplomacisë shqiptare, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, Qirjako Qirko, urdhëroi kthimin e Koçit, me qëllim për t’u emëruar në një pozicion tjetër. Atij iu kërkua që të merrte masat për të kryer takimet e lamtumirës, si dhe për të organizuar një kthim në atdhe brenda datës 1 tetor 2015. Pikërisht kjo procedurë u cilësua nga Presidenca, si një shkarkim pa firmën e kreut të shtetit. Ndërsa MPJ-ja tha se një lëvizje e tillë bazohet në ligjin e ri për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë.Deri këtë muaj pati një heshtje, ndërkohë që atëherë kur nuk pritej, Presidenti Nishani vendosi të firmosë lirimin e ambasadorit Koçi. Kjo lëvizje u duk pak e çuditshme, pasi ministri Bushati e kishte kryer dhe argumentuar në ligjin e ri, por emërimi i tij në strukturat e shërbimit sekret i ka dhënë më shumë kuptim. Duket se diplomati, ashtu si shumë të liruar apo të shkarkuar të mëparshëm nga qeveria e mazhorancës PS-LSI ka gjetur strehë në një nga strukturat që drejtohen nga persona të emëruar që në kohën e qeverisë së mëparshme, siç është edhe Visho Ajazi Lika, i cili drejton SHISH që në gusht të vitit 2012. Një praktikë e tillë është ndjekur më parë edhe nga Presidenca dhe struktura të tjera shtetërore.Drejtoria e Analizës në SHISH, që tashmë drejtohet nga Spiro Koçi, i cili ka mbaruar studimet për shkenca ekzakte, mësohet se deri para disa kohësh në krye të saj ka pasur Aleksandër Kovaçin, i cili mësohet se kishte dhënë dorëheqjen për arsye personale. Kovaçi mësohet se kishte zëvendësuar Sefer Korbecin, që aktualisht është drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror për zonën e Lezhës.Tashmë me emërimin e Koçit në krye të një drejtorie të rëndësishme të shërbimit sekret pritet të ketë një valë ndryshimesh në disa sektorë kyçë. Spiro Koçi, që prej dhjetorit të vitit 2010 ishte akredituar Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Vjenë (UNOV)./Shqip/