28 nëntorin që meritojmë

Në kalendarin historik të secilit prej regjimeve përgjatë një shekulli 28 nëntori përfaqëson datën e vetme që ka mbijetuar, që simbolizon shtetin, pavarësinë dhe flamurin.Secili regjim ka imponuar data të reja ideologjike apo personale, por asnjë prej tyre, përfshirë edhe ato më brutale, nuk kanë arritur të zëvendësojnë simbolikën dhe madhështinë e 28 nëntorit. Është më shumë se datë, më shumë se ditëlindje, më shumë se ngjarje, më shumë se simbolikë: është tregues identiteti, krenarie, sakrifice, mbijetese dhe kombësie. Me 28 nëntor të gjallët hedhin vështrimin në thellësitë e historisë dhe rrugëtimit të gjatë, më të rinjtë gjejnë arsyen e të shkuarës për të gjetur të ardhmen, më të vjetrit u largohen bilanceve bardh e zi të jetës dhe sillen si dëshmitarë midis të shkuarës e të ardhmes.Çdo 28 nëntor shteti bën ceremoni, bëhen festa, mbahen fjalime, ngrihen dolli dhe ndahen dekorata, falje apo urime. Kjo është një praktikë rutinë shtetërore, politike e shoqërore. E tillë do mbetet edhe për vite e dekada të tjera, derisa të ndodhë që një sistem i ri vlerash të shkrihet me identitetin tonë qytetar e shtetëror. Tre vjet më parë kur kujtuam 100 vjetorin festa ishte më e madhe. U dhanë shumë urime, u projektua një shtet më i fortë, më i zhvilluar, më krenar, më i bashkuar dhe më i madh edhe gjeografikisht. U bë garë flamujsh, rrugët u mbushën me patriotë dhe në kontrast të thellë, - gara për copat e tortës në bulevard shpresën më mirë se gjithçka të vërtetat pas fasadës, në sjellje, në mentalitet, në kulturë, në identitet.Sot jemi rreth 570 vjet nga Lidhja Princërore e Gjergj Kastriotit, 103 nga pavarësia dhe akti i jashtëzakonshëm i etërve themelues të shtetit. Një pjesë feston edhe 71 vjetorin e çlirimit, pjesa tjetër e ka çlirimin 24 orë më vonë, - një ndarje pa sens dhe absurde që përgojon edhe dy kokat e shqiponjës në flamurin tonë. Ku është Shqipëria sot? Ku është kombi? Ku është flamuri? Ku janë shtetasit dhe sa krenarë janë ata për shtetin e tyre? A kemi të njëjtën ndjesi në Tiranë e Prishtinë, në Tetovë apo në Ulqin? A ishte ky atdheu që deshëm, që aspiruam, që e sollën rrjedhat e fatit, që projektojmë apo që meritojmë?Nuk kam dilemë se nëse sot në Tiranë do kishim të gjallë mes nesh burrat dhe gratë që ngritën flamurin, bënë shtetin, pavarësinë dhe sakrifikuan jetën për to, ata do të ndjeheshin të zhgënjyer. Jo për shkak se në çdo revolucion e ngjarje historike heronjtë gjithnjë hyjnë midis të zhgënjyerve dhe jo përfituesve, por sepse kaq shumë sakrifica e meritojnë një minimum respekti për shtetin, vlerat, kombin dhe gjithçka na lidh me to. Ata dhe ne nuk e meritojmë këtë lloj 28 nëntori. Imagjinoni: në 103 vjetor lajmi kryesor nga Tirana është vendimi për të larguar kriminelët nga politika e shteti, në Kosovë një palë politike ka mbledhur mbështetësit për të sulmuar palën tjetër, në Tetovë nuk ka qytet por dy pashallëqe politike që vijojnë luftën prej një dekade midis tyre, në Ulqin e Preshevë shqiptarët nuk kanë përfaqësim minimal, miliona të tjerë në emigracion janë thjesht numra në statistikat e shtetit! Imagjinoni, ende po grindemi nëse etërit tanë të pavarësisë ishin heronj apo tradhtar, nëse meritojnë harresë apo buste nderimi, nëse ndarja nga perandoria otomane apo ribashkimi në projektin e ri otoman janë zgjidhja më e mirë! Imagjino që, prej 1912 dhe 1920 asnjëherë tjetër prijësit, liderit, udhëheqësit e sundimtarët tanë nuk takohen me njeri tjetrin, nuk merren vesh, shohin tek njeri tjetri armikun, e përbuzin tjetrin, e denigrojnë dhe ushqejnë një kulturë ndarje e konflikti permanent të denjë për kohët tribale, - krejt pas sens, pa kuptim dhe pa produkt për kohën e nevojat kur jetojmë.Ekziston një listë e gjatë, shumë e gjatë arsyesh që sot, më 28 nëntor, ne të gjithë të gjejmë mundësinë të përulemi përpara etërve tanë themelues dhe tu kërkojmë ndjesë, ndjesë e falje, pafundësisht falje.Ne kemi treguar e po tregojmë se (ende) nuk e meritojmë sakrificën e tyre, madhështinë e tyre. Ata shkrinë gjithçka për shtetin, identitetin e kombin, - vendimmarrësit pasues i rrezikuan këto të fundit për të forcuar veten, familjen, miqtë, militantët dhe partnerët. Ata nuk patën nevojë të kenë parti dhe as adhurues, para dhe as pushtet për të kryer aktin e madh, për të cilin ne ekzistojmë. Nëse bëhet reale, ndjesa nuk është mëkat, dobësi dhe as faj, është çlirim, është nevojë, është qytetari, është hapi i parë drejt reflektimit real, shansi për të parë më mirë të ardhmen dhe për ta jetësuar atë. Etërit themelues, minimalisht e meritojnë.E meritojnë edhe fëmijët tanë, në mënyrë që në një kohë jo pafundësisht të largët 28 nëntori të jetohet me krenarinë dhe respektin që meriton. Ndryshe nga dje, ndryshe nga sot, - me atë madhështi e dinjitet me të cilën etërit tanë themelues na dhuruan shtetin, dhuratë, të cilën ende nuk kemi ditur çfarë të bëjmë me të. Ndaj urimi i vetëm është dhe mbetet, le të shohim tej festës, tek ditës, tej fasadave, fjalimeve e fjalëve për të menduar, punuar e aspiruar për 28 nëntorin e etërve themelues, 28 nëntorin që meritojmë/Marre nga Shekulli/