Ekspozohen 103 telegramet e qeverisë së Ismail Qemalit
Materiale të rralla nga shtypi i kohës që i bënin jehonë krijimit të shtetit shqiptar dhe 103 prej telegrameve të qeverisë së Ismail Qemalit janë ekspozuar në Vlorë në Muzeun Historik dhe në atë të Pavarësisë. Materialet ekspozohen për herë të parë për qytetarët.Një ekspozitë me materiale dhe dokumenta nga shtypi i kohës janë bërë publike në Muzeun Historik të Vlorës, ditën e 103 vjetorit të shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë. Qëllimi është njohja me peripecitë e kaluara për të arritur deri tek bërja fakt e shtetit shqiptar.Skënder Spahiu Drejtor i Muzeut Historik: "Një retrospektivë të udhëtimit të Ismail Qemalit nëpër kancelaritë e Europës, një retrospektivë të ardhjes dhe mbërritjes të tij në Vlorë dhe formimit të qeverisë shqiptare mbas disa mbledhjeve të realizuara, të jehonës që ka pasur në shtypin e kohës në përvjetoret e ndryshme të pavarësisë, të festimeve që bëheshin në Vlorë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.”Në 103 vjetorin e shtetit, në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë janë bërë publike për herë të parë 103 nga 399 telegramet të qeverisë së Ismail Qemalit.Istref Dobi, Drejtor i Muzeut të Pavarësisë: “Telegramet që paraqiten në këtë ekspozitë përfshijnë materiale dokumentare më të rëndësishmet në periudhën Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe veprimtarinë e saj nga nëntori i vitit 1912 deri në janar të vitit 1914.Këtu pasqyrohen përpjekjet e shqiptarëve për Pavarësinë Kombëtare .”Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, të rinj italianë kanë performuar " Street Art", duke i dhënë ngjyra rrugëve dhe fasadave përgjatë bulevardit kryesor.
/Oranews.tv/