"Kush refuzon testin e drogës do trajtohet si përdorues", 2 amendamentet e PD
Një ditë para diskutimit në Parlament të projektligjit për dekriminalizimin, Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend dy amendamente që kanë të bëjnë me testin e drogës.Amendamentet e opozitës të firmosura nga deputeti Oerd Bylykbashi parashikojnë që nëse një kandidat për post publike do të refuzojë testin e drogës, atij duhet t’i refuzohet kandidimi pasi do të trajtohet si përdorues i substancave narkotike. "Përdorimi i substancave narkotike përbën kusht pengues për t'u mbajtur, për t'u zgjedhur apo për t'u emëruar në funksione publike. Në fillim të legjislaturës, çdo deputet duhet të paraqesë në Kuvend një formular që përmban rezultatet laboratorike për përdorimin e substancave narkotike. Në rast refuzimi për nënshtrimin e testit atëherë Komisioni i Mandateve rekomandon edhe refuzimin e mandatit për atë deputet. Analizat do të kryhen nën administrimin e strukturave të posacme pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Në rast refuzimi personi trajtohet si përdorues i substancave narkotike", thuhet në amendament.Ndërsa në lidhje me funksionarët që janë në detyrë duhet të vetëdeklarohen brenda 2 muajve pas miratimit të ligjit dhe në rast se provohet përdorimi i drogës ti hiqet mandati.Pas gati 10 muajsh debate në distancë, PD dhe PS arritën një marrëveshje për dekriminalizimin, e cila nuk e përfshin çështjen e testit të drogës.Amendamentet e opozitës, tentojnë të mos e prishin konsensusin, por t’i nënshtrohen diskutimit dhe votimit në Kuvend, edhe pse PS e ka bërë të qartë se testi i drogës nuk duhet të jetë pjesë e ligjit për dekriminalizimin.
