Dëmet nga përmbytjet, Rama: Sigurohuni, qeveria s'ju përballon dot financiarisht

Nga Novosela, vendi i cili u përmbyt në muajin shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama i ka bërë apel të gjthëve që të sigurojnë njerëzit dhe bizneset, pasi kjo është e vetmja mënyrë për t'u kompesuar. Qeveria, tha Rama nuk mund të përballojë dot financiarisht dëmet e shkaktuara nga ndërtimet mbi shtretër lumenjsh.Edi Rama: Nuk është e mundur që Shqipëria, shteti shqiptar, buxheti i shtetit shqiptar, përfshi dhe solidaritetin e Bashkimit Europian, të mund të përballojë financiarisht, çdo dëm në të ardhmen, që vjen si rezultat i marrëzisë së ndërtimeve mbi shtretër lumenjsh dhe mbi kanale kulluese. Ashtu sikundër nuk është e mundur që qeveritë apo bashkitë, sot dhe nesër të mund të përballojnë përmbytje që vijnë nëpër garazhe pallatesh, të kthyera në dyqane në mënyrë të paligjshme, që vijnë nëpër situata krejtësisht të papranueshme dhe ilegale nga pikëpamja urbanistike. Për të mos folur edhe për ato që janë legalisht të respektueshme. Kjo do të thotë se duhet të hyjmë në një fazë të re, njësoj siç bëjnë të gjithë në Europën normale dhe njerëzit duhet të sigurohen. Bizneset në radhë të parë duhet të sigurohen nga përmbytjet.Kreu i qeverisë shqiptare dha një shembull konkret për një biznes të siguruar në veri të vendit, ku kompania e sigurimit ka kompenusar cdo para për dëmin e shkaktuar. Rama tha se kjo duhet bërë një kulturë.Edi Rama: Kemi një rast konkret të një biznesi në zonën lart të veriut, i siguruar, i cili ka përfituar qindarkë për qindarkë, të gjitha paratë e dëmit nga kompania e sigurimit. Duhet ta shtrijmë më tutje këtë kulturë dhe këtë metodë. Është e pamundur që të ndërtosh kuturu, të mos mendosh fare për të izoluar, për të mbrojtur, për të përballuar një fenomen natyror dhe në momentin kur të vjen uji, të dalësh tek dera dhe të bërtasësh “Ku është shteti?” Shteti jemi ne, të gjithë sëbashku dhe secili ka rolin e vet. Shteti nuk është mamaja që e ka për detyrë  që të bëjë tre herë në ditë ushqimin, pavarësisht se çfarë bën ti. Kjo nuk është e mundur!Rama tha se problemet nuk mund të përballohen vetëm kur shfaqen, kjo sipas tij do të jetë e vështirë jo vetëm për qeverinë e tij, por edhe për qeveritë që do të vijnë në të ardhmen.Edi Rama: E thashë këtë jo për atë që iku, po për atë që mund të vijë. Është shumë e rëndësishme që të gjithë sëbashku të jeni të vetëdijshëm se nuk mund dot t’i përballojmë problemet vetëm kur na shfaqen. Ashtu sikundër çdokush duhet të bëjë të vetën, padyshim, qeveria ka barrën e madhe të bëjë për të gjithë, gjënë e duhur. Jam shumë i kënaqur që në këtë aspekt, për herë të parë, një qeveri në Shqipëri po bën gjënë e duhur. Një vit rresht nuk i jemi ndarë problemit të përmbytjes. Ndërkohë që një vit më parë kemi paguar dëmshpërblimin për përmbytjet e viteve të shkuara në zonat e Ultësirës së Shkodrës, që ishin mbledhur kapicë në gjithë atë malin e borxheve që qeveria u kishte njerëzve. Dhe jo pak, por miliona e miliona euro.