Luan Rama: Çdo shpenzim për aktivitetet e LSI do të shoqërohet me kupon tatimor

Në kuadër të nismës për transaprencën e buxhetit të partisë, sekretari i LSI, Luan Rama në një dalje për mediat tha se të gjitha shpenzimet e aktiviteteve do të shoqërohen me kuponin tatimor.Luan Rama: Çdo aktivitet, çdo veprimtari politike publike apo e strukturave të partisë të çdo lloj natyre qoftë, do të jetë në sytë e publikut edhe përsa i përket anës së mbështetjes financiare. Dhe jo më vonë se dy ditë pasi të jetë realizuar aktiviteti, ju do të keni online në faqen tonë të internetit, të gjitha faturat e shpenzimeve të realizuara bashkë me kuponin tatimor natyrisht, për çdo aktivitet në nivel qendror apo në nivel lokal të LSI-së apo të LRI-së, të LGI-së apo të çdo grupimi tjetër që do të ketë aktivitet nën logon apo nën kujdestarinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.Ashtu siç e paralajmëruan një ditë më parë, LSI ka bërë sot aktive  opsionin në faqen online për të bërë transaprente të gjitha të ardhurat dhe buxhetin e partisë.  Luan Rama tha se një ditë më parë u miratua edhe buxheti i partisë.Luan Rama: Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi dhe, që nga ky moment që po flasim bashkë, ne kemi të gatshme, kemi online në faqen zyrtare të LSI-së në internet hapësirën e posaçme për të dhënat që kanë të bëjnë me buxhetin e partisë. Jo vetëm kaq, por ne në mbledhje e djeshme kemi miratuar buxhetin e partisë për vitin që vjen dhe gjithçka ka të bëjë me këtë buxhet. E gjithë dinamika e lëvizjes financiare, të ardhurat që vijnë nga buxheti për shkak të të qenit parti parlamentare, por edhe të ardhurave që ne realizojmë nga kuotat apo nga kontributet që japin anëtarët, militantët apo simpatizantët e partisë, gjithçka do të jetë online./Oranews.tv/