Vrasja në Linzë, gjykata lë në burg Mirsad Kuçanën

Shtetasi Mirsad Kuçana, i dyshuar si personat e përfshirë në konfliktin në Linzë (13 nëntor), është lënë në burg pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. 

Kërkesa e Prokurorisë  për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” është pranuar nga gjykata. Kuçana u la në burg nën akuzat “vrasje me paramendim” dhe “armë mbajtje pa leje”. 

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, Prokuroria e Tiranës, në bazë të informacionit të siguruar deri në këtë fazë të hetimit, ka paraqitur disa të dhëna hetimore mbi ngjarjen. 

Nga veprimet e policisë gjyqësore, si edhe nga aktet e deritanishme hetimore, rezulton se të dyshuar për këtë ngjarje janë shtetasit: Mirsad Kuçana, Emiljano Tashi (aktualisht të arrestuar), si edhe persona të tjerë, për të cilët po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale. 

Ndërkohë, po vijohet me hetimin për të saktësuar plotësisht motivin e kësaj ngjarje.