Rikonstruksioni i stadiumit "Loro Boriçi", nis prishja e disa objekteve
Ndërhyrja e Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit për prishjen e objekteve pranë stadiumit "Loro Borici" në Shkodër është pritur me kundërshtimin e pronarëve të tyre. Ata e konsiderojnë ndërhyrjen dhunim të të drejtave të tyre, por pavarësisht këtij fakti fadromat kanë rrafshuar dy objektet e para.Fadromat e IKMT-së nisën prishjen e objekteve që preken nga projekti për rikonstruksionin e stadiumit "Loro Boriçi" në Shkodër. Aksioni nisi me shembjen e dy dyqaneve. Pronarët që preken nga ky vendim kundërshtuan shembjen pasi sipas tyre nuk janë njoftuar me shkresë zyrtare dhe nuk është përcaktuar vlera e shpronësimit.Banorët kanë debatuar me policinë, duke kërkuar respektimin e proçedurave ligjore dhe duke pretenduar se ky është dhunim që po u bëhet në mes të ditës nga shteti shqiptar.Sipas të dhenave të IKMT-së janë 7 objekte që do shemben për t'i hapur rrugë përmbylljes së investimit në impiantin e ri sportiv që parashikohet të finalizohet në fillim të 2016-s. /Oranews.tv/