Neuhaus am Inn, qyteti gjerman i “pushtuar” nga klandestinët

Teksa autoritetet gjermane jane ende në përpjekje për të arritur një marrëveshje me qëllim frenimin e fluksit të klandestinëve, qyteti Neuhaus am Inn po shpreson që këto masa të vihen sa më shpejt pasi qindra emigrantë po vijnë aty çdo ditë.Me rreth 3.500 banorë, në këtë qytet arrijnë rreth 50 refugjatë në orë. Në këtë situatë autoritetet lokale mezi po presin propozimin e ri të kancelares gjermane Angela Merkel për zonat tranzitore në kufijtë e vendit për të filtruar klandestinët që kanë të drejtë për azil ende pa hyrë në territorin gjerman.“Pse nuk ndërtojnë një pikë kontrolli në kufi në mënyrë që autobusët me refugjatë të mos hyjnë në qytetet gjermane. Le të kontrollohen direkt këtu dhe të bëhet seleksionimi i atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë të drejtë për azil, kjo do të na ndihmonte shumë”, thotë Xhozef Shoferer nga një kamp refugjatësh.Gjermania është kthyer në magnet për të gjithë klandestinët që largohen nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.Por kjo situatë ka përçarë politikën vendase, ku kancelarja Merkel në asnjë mënyrë nuk pranon mbyljen e kufijve, pasi sipas saj kjo do të çonte në një konflikt të armatosur vendet e Ballkanit.Megjithatë, propozimi i liderit bavarez, Horst Sehofer, për të filtruar azilantët e luftës dhe ata ekonomikë që në kufi duket se ka marrë mbështetjen e Kancelares, por ende nuk ka një marrëveshje zyrtare për këtë.