Shembet një fabrikë në Pakistan, 20 viktima dhe dhjetra të plagosur

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë kanë mbetur të bllokuar,si pasojë e shembjes së një fabrike në Pakistan.Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende punën për gjetjen e të mbijetuarve, teksa i tremben rritjes së numrit të viktimave.98 persona u shpëtuan teksa kishin mbetur të bllokuar nën rrënojat e fabrikës, e cila ndodhet rreth 20 kilometër nga qyteti Lahore.Sipas autoriteteve pakistaneze, në ndërtesë besohet se kanë qenë rreth 150 persona në momentin e shembjes.Ekipet e shpëtimit kanë lëvizur me ritëm të ngadaltë për të mos krijuar kaos dhe për të mos shkaktuar viktima të tjera pasi shumë njerëz kishin mbetur të bllokuar në katet e poshtme të ndërtesës.Të mbijetuarit e plagosur thanë se pronari i fabrikës kishte injoruar këshillat e kontraktuesit të tij dhe lutjet e punëtorëve për të ndaluar ndërtimin e saj, pas të çarave të thella të shkaktuara si pasojë e një tërmeti relativisht të lehtë muajin e kaluar.Sipas policisë së zonës, mes viktimave është edhe pronari i fabrikës Muhammed Usman.Sektori i ndërtimit në Pakistan ka mbikëqyrje të dobët dhe ndërtuesit shpesh shpërfillin kodet e ndërtimit.Në shtator të vitit 2012, 289 persona humbën jetën në një fabrikë veshjesh në qytetin e Karacit në jug të Pakistanit si pasojë e zjarrit, ndërkohë që në të njëtën ditë 25 të tjerë vdiqën në një tjetër fabrikë këpucësh në Lahore.