Mustafa e Thaçi mbështesin iniciativën e Presidentes, dënojnë dhunën e opozitës
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar përreth një orë një takim krerët e qeverisë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi për të diskutuar me situatën e vështirë politike që po kalon vendi. I pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, si dhe kryetarët e grupeve parlamentare të dy forcave politike.Pas takimit, Kryeministri i Vendit, Isa Mustafa, u shpreh se vendi nuk gjendej në një krizë, por opozita po bën një përpjekje për të penguar funksionimin normal të institucioneve.“Nuk kemi krizë parlamentare as institucionale. Kemi tentim që të pengohet me dhunë. Ne përkrahim çdo iniciativë që ndërmerr Presidentja, por mendojmë që opozita të veprojë vetëm sipas ligjeve dhe kushtetutës”, ka thënë Mustafa.Në të njëjtën linjë me Mustafën ka qënë edhe kreu i PDK-së Hashim Thaçi, i cili ndër të tjera deklaroi se qeveria do të mbështesë iniciativën e Presidentes Jahjaga si dhe çdo përpjekje për dialog me opozitën.“Nuk ka krizë, ka dhunë nga ana e opozitës. Do respektojmë të gjitha marrëveshjet e arritura deri këtu”, ka thënë Thaçi.Menjëherë pas takimit ka reaguar edhe opozita. Kryetari i Lëvizjes Vetvendosje, Visar Ymeri, ka deklaruar se zgjidhja e krizës mund të vijë vetëm përmes tërheqjes së qeverisë nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe Malin e Zi.Presidentja e Kosovës ka thirrur në një takim edhe përfaqësuesit e Opozitës. Aleanca për Ardhmërisë e Kosovës si dhe lëvizja Vetvetndosje kanë bërë me dije se një ftesë e tillë mund të pranohet, por qëndrimi i tyre nuk mundet kurrësesi të ndryshojë.