Entuziazmi i tifozëve nga Kosova drejt Elbasanit dhe zhgënjimi pas humbjes
Mëngjesi i 8 tetorit ishte i mbushur me re, ashtu si zemrat dhe mendjet e shqiptarëve ishin të trazuara me emocione dhe ankth.Në atë që është pagëzuar si Rruga e Kombit do të vinin shqiptarë të Kosovës dhe vendeve të tjera për të mbështetur kombëtaren shqiptare në ndeshjen ndaj Serbisë.Në pikën kufitare të Morinës ishin marrë masat e sigurisë dhe mediat nuk lejoheshin të filmonin afër vendit që formalisht shënjon një kufi që në rastin kur luan kombëtarja kuq e zi thuajse nuk ekziston.Tifozët më të zellshëm jo vetëm ishin zgjuar në orët e para të mëngjesit, por donin dhe ta dokumentonin këtë ditë që për ta ishte historike.Prej dy muajsh mbanin në duar biletën ku shkruhej Shqipëri-Serbi. Kishin lexuar përtej saj jo thjesht një ndeshje futbolli, por edhe një përballje të historisë mes dy kombeve dhe kjo i kishte shtuar emicionet, ashtu si dhe pritshmëritë.Festa kishte nisur shumë orë përpara fillimit të ndeshjes në “Elbasan Arena”.Ishin të shumta automjetet të mbushura me shqiptarë. Disa tifozë besnikë të futbollit, të tjerë thjesht të Shqipërisë dhe flamurit kuq e zi. Pritën me orë, por pritja vetëm sa ua shtoi emocionet.Takuam një grup prej 12 tifozësh dhe u kërkuam të udhëtojmë bashkë me ta drejt qytetit që ka marrë famë ndërkombëtare për shkak se ka të vetmin stadium me standardet e UEFA-s në Shqipëri.Udhëtojnë dhe këndojnë. Duket se nuk i druheshin ikjes së zërit dhe këndonin me gjithë forcën, pavarësisht se i priste një ditë e gjatë thirrjesh e brohoritjesh.Besojnë tek kombëtarja shqiptare dhe përzgjedhja e trajnerit De Biazi:Ndalesa e parë ishte Rrësheni, më pas Durrësi. Tifozët nga Gjilani ishin veshur me simbolet kombëtare dhe shkëmbenin urime me këdo që takojnë.Në orën 16:00 mbërritën në Elbasan. Aty i priste gjendja e shtetrrethimit dhe masave të rrepta të sigurisë, por edhe atmosfera e ndezur nga prania e tifozëve që vërshonin nga çdo anë e globit ku jetojnë shqiptarë.Elbasani ishte kryeqendra e shqiptarëve që donin një fitore me çdo kusht ndaj Serbisë. Shpresa ishte e pakontrollueshme dhe pritshmëria i kishte kaluar kufijtë e logjikës. Zemrat rrihnin duke menduar Francë 2016.Ikja ishte shumë e ndryshme nga ardhja. Zhgënjim dhe mërzi. Edhe ndonjë lot në sytë e burrave, djemve dhe vajzave që për 94 minuta lojë menduan se historia do t'i jepte Shqipërisë edhe një fitore në futboll.
