OSHEE rrit arkëtimet, Gjiknuri: U rritën nga pagesat e prapambetura
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE, Ardian Çela shtuan tonet entuziaste për arritjet në sektorin energjik, duke konfirmuar se janë rritur arkëtimet nga mbledhja e debive ndër vite. Zyrtarët thanë se këto do të përkthehen në investime.550 mijë dollarë është investimi i OSHEE për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të energjisë pranë shkollës "Vasil Shanto".Gjatë inspektimit të punimeve, Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se ky investim është pasojë e reformave në sistemin energjitik.Gjiknuri: “Investimet këtë vit po vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë dhe është një fond gati prej 5 miliard lekësh, pra afërsisht 50 milion dollarë, të cilat po investohen nga korporata për përmirësimin e infrastrukturës energjetike përsa i përket shpërndarjes. Mesazhi është shumë i thjeshtë, shumë i qartë dhe besoj i kuptueshëm për të gjithë qytetarët. Kontributi i tyre, pagesat që janë shtuar, ulja e humbjeve po përkthehet ne investime dhe sjell siguri më të madhe për sistemin tonë energjetik, tarifa më të qëndrueshme të energjisë elektrike dhe e bën vendin më të sigurtë nga pikëpamja energjetike. Këto politika po përkthehen gjithmonë në dobi të qytetarëve”.Ndërkohë, administratori i OSHEE, Ardian Çela, premtoi rritje të investimeve në Tiranë.Çela: “Investimet vetëm për Tiranën qytet, për këtë vit parashikohen të arrijnë në 240 milion lekë. Ato synojnë vendosjen e një rrjeti të ri, dhe kthimin e linjave 6/10 kV në 20kV, me linja moderne dhe cilësore, kabina, transformatorë të rinj. Aktualisht po ndërtohet edhe në zonat rreth Rruga Ura – Shkozë, Don Bosko, Siri Kodra. Pritet të nisë këto ditë një tjetër investim i rëndësishëm, ku pas 10 vitesh, Qytetit Studenti do ti vendosen transformatorë të rinj, si dhe pajisje moderne për kabinat. Pa përmendur investimin e 200 milion lekë të reja investim që u bë në nënstacionin e mbas hoteli Tiranës, si dhe investimet që janë në pjesën tjetër rurale të qytetit. Kompania nuk ka objektiv të saj vetëm uljen e humbjeve jo teknike apo mënjanimin e vjedhjeve, por ka edhe atë të ofrimit të shërbimit të furnizimit cilësor të qytetarëve dhe të atyre që paguajnë korrekt energjinë elektrike ”.Në ditët në vijim, në Qytetin Studenti pritet të vendosen disa transformatorë të rinj, çka do të përmirësojë furnizimin me energji për këtë zonë në vigjilje të mbërritjes së studentëve për vitin e ri akademik.