Itali, policia sekuestron 1.3 mld euro të mafias

Policia italiane sekuestron një shumë prej 1.3 miliard eurosh të siguruara nga aktivitete të paligjshme të grupeve të mafias.Sipas mediave italiane shuma i përkiste Vito Nicastri, i njohur ndryshe si mbreti i energjisë alternative. Vito Nicastri, dyshohet për lidhje mafioze me krerët e Cosa Nostra-s, dhe akuzohet për evazion fiskal.Nicastri është urdhëruar nga gjykatat italiane që të mos largohet nga banesa e tij në komunën e Alcamos, në afërsi të Palermos.Shuma e sekuestrur prej 1.3 miliard eurosh përbën llogari bankare, kapitalet e 43 kompanive të lidhura me prodhimin e energjie alternative, 98 prona përfshirë këtu vila dhe pallate si dhe shumë automjete, motorrë e varka.Padyshim kjo është një nga sekuestrimet  më të mëdha që është ndërmarrë ndonjëherë ndaj mafias dhe përbën një ndër goditjet më të rëndësishme që i bëhen krimit të organizuar dhe aktiviteteve të paligjshme në Itali.Dyshimet ndaj Nicastri-t lindën pas ngritjes së shpejtë të tij, nga një elektricist i thjeshtë në një prej biznesmenëve më të fuqishëm në sektorin e energjisë në Itali. Aktivitetet e tij shtriheshin në të gjithë Italinë, që nga Lombardia në veri, Lacio në qendër e Siçili.