Rruget Lezhe

Ndërhyrja për të sjellë qytetin e Lezhës në gjendje normale pas kaosit te shkaktuar me ndërhyrjen për ndërtimin e rrjetit të ri të Ujësjellësit do të nisë në gjysmën e shtatorit.Me largimin e fluksit të pushuesve dhe emigrantëve nga rajoni i Lezhës, Bashkia do të nisë punën e menjëhershme për ti dhënë frymëmarrje qytetit nga problemet e shumta që ju shkaktuan këtë sezon veror. Kohën e ndërhyrjes e ka bërë të njohur Drejtori i Shërbimeve në bashkinë e Lezhës, Nikolin Prendi.Ai e ka konsideruar si tejet të rëndësishme reagimin në një kohë sa më të shpejtë për rehabilitimin e rrugëve të qytetit duke i asfaltuar ato, proçes që sipas tij do të mbyllet në një kohë sa më të shkurtër, në mënyrë që hapja e kanaleve për vendosjen e tubacioneve të Ujësjellësit nëpër lagjet e qytetit të mos e rëndojë më shumë situatën aktuale.Nikolin Prendi: “Ne do ndërmarrim të gjithë hapat e domosdoshëm që situata në qytet të jetë e normalizuar. Në bashkëpunim me kompaninë që po kryen këtë investim së shpejti do të kryhet riasfaltimi dhe kthimi në gjendjen e më parshme e të gjitha rrrugëve të qytetit që është ndërhyrë për kryerjen e këtij investimi”.Investimi për ndërtimin e Ujësjellësit të Lezhës do të zgjasë deri në janarin e 2017, ndaj edhe Bashkia ka ndërhyrë që kompania që po realizon këtë investim të permbushë kontratën e saj, pjesë e të cilës është edhe kthimi i rrugëve në gjendjen e mëparshme, kjo duke kryer në një kohë sa më të shpejtë testin per tubacionet e vendosura.Rrugët e Lezhës u hapën të gjitha njëherazi, duke sjellë anomali në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen normale të këmbësorëve, një nga shqetësimet e ngritura vazhdimisht nga qytetarët lezhjanë.