Ish-kryekomunari i Gruemirës fajëson Stërkaj: Tritoli, nga njerëz të afërt të tij

Ish-kryekomunari i Gruemirës, Asim Burgaj, e ka cilësuar sulm politik shpërthimin e eksplozivit në një nga bizneset e tij në fshatin Vrakë.Duke shpjeguar se nuk ka konflikt me askënd, Burgaj thotë se sulmi është pasojë se zona nuk ka mbështetur kandidatin e majtë në zgjedhjet vendore.Sipas tij kjo është një mënyrë presioni, nga njerëz të afërt me deputetin socialist, Paulin Stërkaj. “Këto janë gjeste të pastra politike, këtu është loja e bandave të pushtetit nën dirigjimin e  deputetit të famshëm Paulin Stërkaj. Është vetëm fillimi. Zoti. Stërkaj jo, por bandat e tij që merren me të dhe janë marrë në fushatën elektorale të 21 qershorit. Sulmi vjen se jemi përfshirë në fushatë të PD dhe ishim kundër tyre”.“Disa janë transferuar në vende të largëta, disa janë hequr nga puna”, shtoi me tej Burgaj.Nga shpërthimi në orët e natës nuk pati të lënduar.