Azilikërkuesit, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë nuk ka marrëveshje punësimi

Për të frenuar azilkërkuesit në Gjermani, autoritetet vendase i bënë thirrje homologëve të mos joshin azilantët me kontrata pune. Shqipëria me Gjermaninë nuk kane marrëveshje punësimi dhe e drejta e punës së qytetarëve shqiptarë u garantohet sipas ligjeve ndërkombëtare dhe inisiativave private. Gazetarja e Ora News, Manjola Hasa, bisedoi me Drejtorin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.   “Shuarjen e të gjithë faktorëve ftues në vendet pritëse dhe veçanërisht në Gjermani që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si motiv që shumë shtetas të udhëtojnë për të kërkuar azil”- deklaroi Ministri Tahiri me 25 gusht të këtij viti.Ky është një shembull konkret sesi zyrtarët shqiptarë në vijimësi këto kohët e fundit në pikun e fluksit të azilkërkuesve në Gjermani i kërkojnë autoriteteve të këtij vendi të kufizojnë instrumentet që joshin azilkërkuesit me kontrata punësimi, një e drejtë që qytetarët shqipatarë e gëzojnë nga Konventat Ndërkombëtare, pasi përpjekjet për marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane për punësim kanë dështuar.Genci Kojdheli, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit: “Ne kemi tentuar qysh në fund të vitit 2013 dhe në fillim të 2014 që të lidhim një marrëveshje preferenciale me Gjermaninë për punësim. Për disa arsye, sidomos për shkak të faktit që Shqipëria ndodhet gjeografisht larg nga Gjermania dhe ka një kosto goxha të madhe për  qytetarët që mund të ishin punonjës potencialë në Gjermani. Dhe së dyti për arsyen se kryesisht shqiptarët janë jo shumë të kualifikuar në fushat që Gjermania kërkon dhe  kjo marrëveshje nuk u bë e mundur. Në Gjermani ekziston vetëm një listë e bardhë profesionesh që ti mund të punësohesh pavarësisht nacionalitetit.Dhe shembujt e punësimit që vijnë janë krejtësisht inisiativa personale.Genci Kojdheli: “Shembull i  mirë për këtë rast janë shumë mjekë dhe inferemierë që janë punësuar në Gjermani përmes kontratave individuale”.Vendi ynë ka shënuar një hap pas në marrëveshjet e punësimit edhe me vendet që e ka patur deri tani si Italia dhe Greqia.Genci Kojdheli: “Me Greqinë kjo marrëveshje ka përfunduar shumë herët. Ne tentuam ta rinovojmë marrëveshjen me Italinë në 2014, por pala italiane nuk e gjeti të mundur që tëna jepte kuota të përvitshme për punësimin e shqiptarëve”.Drejtori i Shërbimit, Genc Kojdheli, thotë se azili ekonomik nuk ekziston dhe si azilkërkues këta emigrantë nuk mund të punësohen me kontrata në Gjermani.