Nishani -Svensson: Suedia mbështetje në proceset integruese

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire të Ngarkuarin me Punë të Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson.Pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, Kreu i Shtetit nënvizoi mbështetjen e Suedisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Suedia, u shpreh Presidenti i Republikës, është simbol i demokracisë dhe zhvillimit ekonomik dhe vendi ynë e sheh me përparësi vijimin e forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë dhe turizmin.I Ngarkuari me Punë i Suedisë Patrik Svensson i shprehu Kreut të Shtetit vlerësimin për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve duke theksuar se Suedia do të vazhdojë mbështetjen e saj si ndaj procesit të integrimit evropian, por dhe në funksion të përmirësimit të klimës ekonomike dhe zhvillimit të Shqipërisë.Më tej, Presidenti i Republikës Bujar Nishani duke vlerësuar aktivitetin e Svensson për fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe, i uroi suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tij diplomatike.