Qeni dështon planin e arratisjes së 25 të burgosurve mes tyre dhe shqiptarë
Një qen zbulon rastësisht një tunel dhe falë rastësisë autoritetet greke shmangin arratisjen nga burgu të 25 të dënuarve me burgim të përjetshëm, në mesin e të cilëve kishte dhe shqiptarë.Tentativa spektakolare por e dështuar e arratisjes është shënuar në burgun e sigurisë së lartë në Ishullin e Korfuzit, dhe ajo mori fund kur pronari i qenit njoftoi policinë për një gropë në tokë. Më pas, qindra forca policore bllokuan menjëherë zonën.Gardianët e burgut, pas kontrolleve nëpër qeli, zbuluan se galeria e nëndheshme 15 metra e gjatë do t'i nxirrte të brugosurit në një pyll të vogël jashtë burgut.Nën krevatet e të gjitha qelive të zonës "Z" të burgut u gjetën sasi të mëdha dheu, që të burgosurit e kishin depozituar për të mos u diktuar nga gardianët.Në këtë pjesë të burgut mbahen disa nga të dënuarit më të rrezikshëm të Greqisë, kryesisht të dënuar me burgim të përjetshëm, ose me mbi 25 vite burg.Koka e këtij plani të arratisjes dyshohet se është një i dënuar grek nga Larisa, ndërsa në listën e atyre që dyshohet se do të arratiseshin ka grekë, shqiptarë, një turk dhe një sirian.19 vjet më parë, 40 të dënuar shqiptarë u arratisën në të njëjtën mënyrë nga qelitë e burgut të ndërtuar në vitin 1800, por që të gjithë u kapën brenda pak ditësh.
/Oranews.tv/