Greqia nis luftën ndaj evazionit fiskal
Ndërkohë që negociatorët grekë po bisedojnë me përfaqësuesit e kreditorëve për një program shpëtimi për Greqinë, inspektorët tatimorë kanë zbritur në terren për të plotësuar një prej zotimeve më të rëndësishme të qeverisë helene, eliminimin e evazionit fiskal.Në këtë aksion janë të gjithë në shënjestër: nga hotelet me pesë yje, deri te tavernat modeste dhe fastfudet që tregtojnë sufllaqet e famshme greke të cilat, refuzojnë shpesh t'u japin klientëve kuponin tatimor, sidomos pas vendimit të qeverisë Tsipras për të rritur në 23% TVSH-në dhe shfuqizimin e uljeve për ishujt turistikë.Zëvendësministri i financave, Trifon Aleksiadis, zbulon planin veror të qeverisë për të kapur dhe ndëshkuar abuzuesit."Do të realizojmë kontrolle në të gjithë Greqinë, në të gjithë zonat turistike. Do ta nisim me destinacionet e shtrenjta turistike, hotelet luksoze, dhe do të shkojmë edhe në tavernat më të vogla. Nuk do të na shpëtojë asnjë pa kontrolluar në këtë sezon"Vala e parë e kontrolleve, zhvilluar fundjavën e kaluar, ishte vërtet shqetësuese: një në katër biznese kryenin evazion fiskal.Por vetë autoritetet shtetërore janë të vetëdijshëm që është e pamundur të realizojnë kontrollin tërësor që pretendojnë. Për shkak të krizës dhe imponimeve nga ana e kreditorëve, administrata është shkurtuar ndjeshëm dhe punonjësit tatimorë që duhet të inspektojnë në terren janë të paktë.Ndërsa, që prej largimit nga detyra të ish-ministrit të financave, Janis Varufakis, ideja e guximshme që kontrollin e evazionit fiskal do të bënin vetë turistët, duket se është hedhur në kosh.Sidoqoftë, paratë që siguron shteti nga ishujt turistikë janë një burim i konsiderueshëm të ardhurash, pasi kjo industri përbën 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Greqisë, një shumë që nuk mund të lihet pa u vendosur në arkat e shtetit.