Rritet optimizmi për marrëveshjen, firmosja pritet të shtunën
Kreu i ministrave të Financave të zonës euro, pas shqyrtimit të kërkesave greke, deklaron se plani i propozuar nga pala greke është i plotë. Jerun Dajseblum tha se tashmë kërkesat do të analizohen edhe nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për të dalë më pas në një rezultat përfundimtar të shtunën, afat ky që u konfirmua edhe nga kryeministri italian, Matteo Renzi.Përveç mbështetjes së presidentit francez, Fransua Holond, i cili i quajti propozimet greke si serioze dhe të besueshme, edhe kryeministri italian, në debatin e krizës greke janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.Sekretari amerikan i thesarit, Xhek Lju, deklaroi se të dy palët duhet të rifitojnë besimin mes tyre, por pranoi se marrëveshja duket më pranë realizimit se sa pak ditë më parë. Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, tha se shpresonte që kriza të zgjidhej shpejt, ndërsa konfirmoi për të disatën herë se Greqia nuk i ka kërkuar ndihmë financiare atij. Megjithatë, ai kritikoi Bashkimin Europian për rolin pasiv që ka luajtur ndërsa problemet akumuloheshin në vite për Greqinë.