SHÇBA arreston ndihmës kontrollorin e policisë kufitare në Kakavijë

Arrestohet një ndihmës kontrollor i policisë kufitare në Kakavijë.Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arrestuan mesditën e sotme në flagrancë Inspektor Mentor Cane, si edhe shtetasin Erald Çaço, shitës duhani me pakicë për “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë, e kryer në bashkëpunim”.Ndalimi i tyre erdhi pas një hetimi 2 mujor me metoda dhe mjete speciale të hetimit nga ana e SHÇBA dhe Prokurorisë së Gjirokastrës.Sipas njoftimit të SHÇBA, “punonjësi i Policisë, Mentor Cane, i merrte stekat me cigare në Duty-Free-Shop në pikën doganore në anën greke të kufirit dhe duke shfrytëzuar detyrën, i kalonte ato në territorin shqiptar, duke shmangur detyrimet doganore. Më pas këto mallra i fuste në bagazhin e mjetit të tij, tip “Benz Mercedez” me targa TR 36 11 U, dhe i sillte në Tiranë tek blerësi”.Në ngarkesën e fundit, të bllokuar sot në mesditë në rrugën “Ndre Mjeda”, në kryeqytet, punonjësit të policisë Cane iu kapën 36 kuti, me nga 3 steka cigare secila.SHÇBA ka dokumentuar për periudhën që ai ishte nën hetim, se kryente të paktën 2 ngarkesa në javë, me sasi edhe më të mëdha se rasti i kapur.Nga ana SHÇBA-së, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kutitë me cigare, 2 automjete që u përkisnin shtetasve të arrestuar, si edhe 4 aparate telefoni celularë.