Hungari , partia planifikon ligje anti- demokratike

Partia në pushtet e Hungarisë, "Fidesz" e kryeministrit Victor Orban, do të realizojë disa ndryshime kushtetuese, të cilat sipas analistëve minojnë demokracinë në vend.Partisë "Fidesz" i përkasin më shumë se 2/3 e vendeve në Parlament, gjë kjo që i jep atyre lirinë ndaj ndryshimeve të këtij lloji.Amendamentet pritet të sjellin një sërë ndryshimesh në ligjin për arsimin e lartë, atë për të pastrehët, për zhvillimin e fushatës elektorale, të drejtat familjare dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.Paketa e ndryshimeve ligjore ka ngjallur disa reagime të ashpra kundërshtuese brenda BE-së, e ndërsa është konsideruar nga opozita si "grushti i fundit" ndaj demokracisë së "brishtë" hungareze .Në një thirrje adresuar Budapestit zyrtar, Këshilli i Europës kërkoi që të paktën votimi të shtyhet, deri kur dokumenti i ndryshimeve, prezantuar në mënyrë të beftë, të analizohet në detaje nga konstitucionalistët dhe ekspertët europianë.Në të shkuarën, qeveria e Orban është vendosur nën kritika të ashpra të Brukselit, për një sërë ligjesh, midis të cilave edhe ai që do të rikthente çensurën mbi mediat.Kryeministri autoritar i Hungarisë, ka ngjallur kundërshti edhe për deklaratat e tij polemizuese, disa herë me tone anti-europiane, në kundërshtim me rolin që Hungaria pritet të ruajë si një prej 27 vendeve anëtare të BE-së.Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë disa herë thirrje politikavëve hungarezë që të respektojnë institucionet e pavarura dhe parimin "check and balance", si parimin themelor të funksionimit të shtetit demokratik.