SHBA, vijon dita e fundit e diskutimeve për shpenzimet
Presidenti amerikan Barak Obama ka në plan të takohet me udhëheqësit e kongresit nesër, ditë në të cilën hyjnë në fuqi shkurtimet buxhetore automatike me vlerë 85 miliardë dollarë.Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se bisedimet në lidhje me shkurtimet priten të jenë konstruktive.Presidenti Obama thotë se shkurtimet do të dëmtojnë ekonominë, do të nxjerrin nga puna mijëra njerëz dhe do të dëmtojnë gatishmërinë ushtarake. Ai dëshiron të kombinojë shkurtimet e shpenzimeve me dhënien fund të disa përjashtimeve tatimore për të pasurit dhe për korporatat.Shumë republikanë kundërshtojnë çdo lloj rritjeje të taksave dhe duan të përqëndrohen tek shkurtimi i shpenzimeve.Dje, Senati konfirmoi ish-shefin e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Jack Lew, si sekretar të ri të thesarit. Zoti Lew pritet të jetë në qendër të bisedimeve të vështira me republikanët e Kongresit për arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin.