Mustafa: Nuk ka negociata me Serbinë për Trepçën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka riktheksuar se qeveria e tij nuk do të negociojë me Serbinë për çështjen e Trepçës në Bruksel, një pretendim ky i ngritur nga pala serbe kohët e fundit. Gjatë një fjalimi në Mitrovicë për të shënuar fundin e javës së minatorëve, Mustafa premtoi se do të punohet për shndërrimin e Trepçës në udhëheqës së ekonomisë së Kosovës."Trepça është e Kosovës, mineraret janë të Kosovës dhe kjo është pronë e Kosovës, ndërsa ne me askënd nuk do të ulemi në tavolinë të bisedojmë për Trepçën. Për Trepçën do të bisedojmë vetëm me ju, minatorë të Trepçës. Ju keni shkruar një histori të veçantë për Kosovën, keni dhënë kontributin më të madh në kohën më të rëndësishme, keni shfaq rezistencën e juaj për Kosovën e pavarur, sepse duke ruajtur Trepçën, ju keni mbrojtur Kosovën", ka thënë Mustafa.Java e minatorëve, që përkujton grevën e tyre në vitin 1989 kundër regjimit dhe shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, konsiderohet si një ngjarje historike. Por sot, Trepça, edhe pse mund të ishte nëj burim gjigant të ardhurash për Kosovën, është në prag të falimentimit, ndërsa numri i minatorëve që punojnë aty është në minimum. Menaxheri i ndërmarrjes, Ahmet Tmava, dhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Nezir Behrami, i kanë kërkuar Mustafës që të zgjidhë sa më shpejt këtë çështje, të anashkaluar nga qeveria e mëparshme.