SHBA, Hetuesi pro versionit të dhënë nga Pistarious

Ylli Olimpik i Afrikës së Jugut Oscar Pistorius u përball me ditën e dytë dramatike të argumenteve përpara gjyqit për vrasjen e së dashurës së tij, modeles Reeva Steenkamp javën e kaluar. Midis disa dëshmive bindëse nga një hetues i policisë doli një zbulim tronditës: policia gjeti shiringa dhe çfarë dyshohet të jetë substancë me përmbajtje testosteroni në dhomën e gjumit të atletit.Ka dy versione të asaj çfarë ndodhi në orët e para të 14 shkurtit në shtëpinë luksoze të Oscar Pistorius. Dhe në të dyja – si në versionin e prokurorisë dhe në atë të palës mbrojtëse, ai qëlloi për vdekje të dashurën e tij, modelen Reeva Steenkamp.Në versionin e Pistoriusit: atleti me të dyja këmbët e prera dëgjoi një zhurmë në mes të natës. Në Afrikën e Jugut, ku krimi në banesa nuk është një fenomen i pazakontë, Pistorius thotë se rrëmbeu armën. Ai tha se ishte i terrorizuar dhe qëlloi katër herë nga dera e banjos. Vetëm pas kësaj, thotë ai, pa se e dashura e tij nuk ishte në shtrat.Versioni i prokurorisë është po kaq tronditës. Prokurori Gerrie Nel thotë se Pistorius vuri këmbët e tij protezë, eci shtatë metra deri në banjon më të afërt dhe qëlloi katër herë përmes derës së mbyllur duke vrarë Steenkamp.  Nel i tha gjykatës se Pistorius më pas shpërtheu derën nga jashtë, e çoi trupin e saj në katin e parë dhe telefonoi një shoku për t’i thënë se kishte menduar se Steenkamp ishte një hajdut.Gjyqi i Oscar Pistoriusit as që ka filluar ende por paraqitja e tij në gjykatë është shoqëruar me të reja dramatike.Të mërkurën, gjatë ditës së dytë të argumentave për lirimin e tij me kusht, prokurorët ndërmorën një sulm të papritur mbi pretendimin Pistoriusit se ai mendoi se e dashura e tij prej tre muajsh ishte një kusar kur e qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij.Në argumentin e prokurorisë erdhi një zbulim tronditës: hetuesi i policisë Hilton Botha tha se policia gjeti “shiringa me testosteron” në dhomën e gjumit natën e krimit.Një pretendim i tillë mund ta vërë në rrezik karrierën e atletit pavarësisht rezultatit të gjyqit. Pistorius është i njohur për aftësitë e tij atletike – ai është i pari njeri me të dyja këmbët e prera që garoi në Lojrat Olimpike. Ai ka gjashtë medalje të arta nga Lojërat Paraolimpike.Avokati mbrojtës Barry Roux tha se substanca e gjetur është një ilaç bimor që përdoret nga shumë atletë dhe nuk është i ndaluar. Zëri i Amerikës kontaktoi autoritetet e drogës për më shumë informacion lidhur me substancën për të cilën dihet shumë pak.Hetuesi Botha tha gjithashtu se policia gjeti një sasi municioni të paliçencuar në shtëpinë e atletit dhe katër telefona celularë – asnjëri prej të cilëve nuk ishte përdorur për të marrë në telefon policinë ose ambulancën, siç kishte thënë Pistorius. Botha tha se një dëshmitar i tha policisë se dëgjoi biseda me zë të lartë një orë para se të ndodhnin të shtënat, duke lënë të kuptohet se Pistorius mund të jetë zënë me të dashurën para se të qëllonte.Botha arriti në përfundimin se Pistorius e dinte se e dashura e tij ishte në banjo dhe ai qëlloi me derën mbyllur për ta vrarë atë. Hetuesi i policisë tha gjithashtu se Pistorius mund të largohet nga vendi nëse lirohet me kusht.Avokati mbrojtës Roux hodhi dyshime mbi punën e policies dhe këmbënguli se Pistorius kishte përdorur një telefon tjetër për të thirrur ambulancën. Para seancës së të mërkurës xhaxhai i Pistorius tha se kishte besim se e vërteta do të dilte në dritë.Pistorius deklaroi se është i pafajshëm, megjithëse seancat dëgjimore këtë javë janë kthyer në mini-gjyqe. Kjo ndjesi përforcohet nga një armatë prej qindra gazetarësh vendas e të huaj përpara gjykatës përpara orës 6 të mëngjesit. Mesazhet në Twitter kishin përditësime të shpeshta duke sjellë më shumë vëmendje ndaj çështjes.Pistorius dukej më i qetë të mërkurën sesa ditët e mëparshme, kur e kaloi pjesën më të madhe të kohës duke ngashëryer.Zyrtarët thanë se procedura për lirimin me kusht do të vazhdojë deri të premten.