Zbulohet skandali, OSHEE bleu energji të shtrenjtë duke favorizuar 2 kompani
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për abuzime në lidhje me blerjen energjisë elektrike nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për periudhën gusht-shtator 2014.I kontaktuar në telefon ky institucion ka pranuar se ka nisur një hetim për këtë çështje vetëm pak kohë më parë. Një aferë e tillë korruptive është pasqyruar edhe në media të tjera shqiptare si dhe në <Agjencinë Investigative të Gazetarëve të Ballkanit> BIRN.Sipas dokumentave që zotëron Ora News OSHEE ka realizuar blerjen e energjisë elektrike në shkelje të ligjit duke favorizuar dy kompani të huaja. Sipas analistit Fatos Lubonja këto marrëveshje i kanë shkaktuar tregut të energjisë një dëm prej rreth 7 milionë eurosh. Analisti i njohur ngre shqetësimin se për vjedhjen e energjisë një qytetar dënohet nga ligji 3 deri 5 vjet ndërkohë në lidhje me këtë çështje nuk ka asnjë reagim dhe aq më pak dënime.Në këtë moment kur kanë nisur aksione në të gjithë vendin për të rritur arkëtimet abuzime të tilla nga vetë institucionet rëndohen edhe më shumë.Në bazë të ligjit shqiptar favorizimet ndaj dy kompanive konsiderohen marrëveshje të ndaluara .Në ankesën për këto marrëveshje theksohet se manipulimi i proçedurave të tenderimit nga ana e OSHEE është i vazhdueshëm duke lënë jashtë tenderave operatorë të tjerë.Ky veprim përzgjedhës i OSHEE ka dëmtuar rëndë tregun e brendshëm si dhe atë ndërkombëtar të energjisë dhe si përfundim edhe konsumatorët shqiptarë pasi këto kompani kanë ofruar energji shpesh me çmim më të lartë se e tregut.Në bazë të dokumentave konstatohet se OSHEE nuk ka bërë transparent proçesin e hapjes së ofertave dhe në fund ofertat e dy kompanive kanë rezultuar më të mirat.Dy kompanitë e huaja kohët e fundit rezultojnë të jenë fitueset e vetme në ofrimin e energjisë elektrike për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në Shqipëri.Pikërisht në bazë të këtyre të dhënave këto praktika konsiderohen të paligjshme duke i siguruar dy shoqërive përfitime të padrejta.Por këto praktika abuzive nuk janë vetëm për këtë periudhë ,ankesa ka edhe për periudhën nga tetori 2013 e deri më sot.Tashmë të gjitha faktet i janë dorëzuar autoritetit të Konkurencës i cili ka nisur hetimin për të zbardhur nëse një marrëveshje e tille është e vërtetë dhe çfarë dëmesh i ka sjellë tregut të energjisë.