Federata serbe fajëson shqiptarët: UEFA kërkoi vijimin e ndeshjes, refuzoi FSHF

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë ka folur pas ndërprerjes së ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë. Sipas Zoran Lakoviç UEFA ishte për rifillimin e ndeshjes, por përfaqësuesit e ekipit shqiptar thanë se nuk ishin në gjendje, dhe për këtë ndeshja nuk vazhdoi më.“U mbajt një takim zyrtar mes përfaqësuesve të UEFA-s, dhe atyre të të dyja skuadrave, të pranishëm ishin edhe gjyqtarët e ndeshjes. UEFA tha që ndeshja të vazhdojë dhe në rast se ndodh qoftë edhe një incident i vogël do të ndërpritet”, tha Lakoviç për RTV serbe.Sipas tij, ekipi i kombëtares shqiptarë është konsultuar në dhomat e zhveshjes, dhe pas konsultimeve nuk pranuan që ndeshja të vazhdojë.I pyetur nëse shqiptarët kërkuan që të lirohej stadiumi, Lakoviç tha se ka pasur disa opsione dhe që të gjithë do të tregohet në raportet zyrtare.