Pak “rilindje” për Gramshin e harruar, Rama premton investime në qytet

Gramshi ishte qendra e radhës që kryeministri, Edi Rama, inspektoi për turin e rilindjes së qyteteve.Në takimin ku shoqërohej edhe nga kryebashkiaku Dritan Bici, Rama teksa kërkoi vendosjen e arbëreshit Antonio Gramshi në sheshin e qytetit, thumboi kur tha se duhet të dallojë nga Monumentet e realizmit demokratik.Për Ramën, Gramshi është një qytet me potenciale të mëdha.Kryeministri kërkoi që paralelisht me projektin e qendrës të rehabilitohen edhe godinat e vjetra të Gramshit."Rruga e re fillon së shpejti. Është një rrugë realisht piktoreske, që lidh Gramshin ashtu si duhet me pjesën e poshtme, nga ana e Elbasanit dhe më pas do të bëjmë edhe lidhjen tjetër me Korçën. Kështu që, nuk do ketë një hyrje dhe një dalje, por keni edhe hyrje dhe dalje nga të dyja anët.Ndërkohë që, ne biseduam që menjëherë të vazhdojmë me projektin e qendrës. Tani që u ndërhy në këtë zonë që ishte një tmerr dhe praktikisht bëhet si një qendër e vogël e qytetit, këtu të bëjmë edhe një shtesë tjetër, me një projekt të vogël, për të rehabilituar të gjithë godinat e vjetra, në mënyrë që të marrë një pamje shembullore.Të jetë një qendër që rrezaton shpresë dhe besim edhe te të tjerët. Pastaj, paralelisht fillojmë qendrën e Gramshit. Tani ju takon të gjeni një vend edhe për Antonio Gramshin, por mos na bëni nga ato monumentet e realizmit-demokratik, se nuk i duam ato. Të bëjmë edhe rrugën pedonale," – nënvizoi Kryeministri.Gramshi, një qytet që pavarësisht potencialeve, është ndër rrethet më të varfra në vend. Në Gramsh po tentohet së fundmi të ndërtohen disa HEC-e që pritet të jenë mundësi punësimi për banorët.Gjithashtu nëse investohet në infrastrukturë, Gramshi mund të bëhet rrugëkalimi midis lindjes dhe perëndimit, duke u lidhur kështu me Korçën, Pogradecin, Beratin, Kuçovën etj.