Sulmi izraelit në kufirin siriano-libanez, ende asnjë reagim

Autoritetet izraelite nuk bënë asnjë koment mbi lajmin e fundit, që qarkullon në mediat ndërkombëtare, për sulmin e avionëve ushtarakë në kufirin siriano-libanez.Po kështu edhe Departamenti amerikan i Shtetit. Por, media shtetërore siriane raportoi se në shënjestër ishte një bazë ushtarake.Agjencia e lajmeve SANA iu referua deklaratës së ushtrisë, sipas së cilës “avionët izraelitë shkelën hapësirën ajrore të Sirisë agimin e së mërkurës dhe kryen një sulm të drejtpërdrejtë kundër një qendre kërkimore-shkencore, që kishte si detyrë kryesore të rriste nivelin e mbrojtjes”.Televizioni shtetëror raportoi se qendra, që ndodhej në Jermana, në veriperëndim të Damaskut, u dëmtua gjatë sulmit. Nëse raportimet do të vërtetohen, atëherë parashikohet incidenti më i madh diplomatik, sepse Irani do të trajtojë çdo goditje kundër Sirisë, si një sulm ndaj tij dhe valët sizmike do të përhapen në të gjithë rajonin.Kohet e fundit, Izraeli ka shprehur frikën se raketat dhe armët kimike në Siri do të bien në duart e militantëve, siç është Hezbollahu në Liban. Agjencia e lajmeve Associated Press citoi një zyrtar amerikan, i cili tha se në shënjestër ishin vënë disa kamionë që transportonin kundra-ajrorë SA17, të prodhuar në Rusi.Të dielën, zv-kryeministri izraelit, Silvan Shalom, tha se shenja më e vogël që do të tregojë se Siria ka humbur kontrollin mbi arsenalin e armëve të saj kimike, do të marrë përgjigjen e vendit të tij.