Kolumbi-FARC, bisedime me ritme “mamboje”
Një zëdhënës i FARC-ut ka deklaruar se bisedimet për paqe me qeverinë kolumbiane po avancojnë “me ritmet e mambos”.Pas 3 raundesh bisedimesh, Jesus Santrich tha se është gjetur terreni i përbashkët për një marrëveshje mbi reformën e tokës. Negociuesi i qeverisë kolumbiane, ish-zëvendës presidenti Humberto de la Calle, tha se ka ende disa dallime të vogla, por pranoi njëfarë dakordësie.Negociatat nisën 3 muaj më parë, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit gjysmë shekullor. Qeveria tha se ky konflikt ka shkaktuar humbjen e jetëve të më shumë se 500 mijë personave. Bisedimet do të vazhdojnë në Havana të Kubës, pas një jave.Ndërkohë që duket se ka disa diferenca rrënjësore mes dy palëve, rebelët e krahut të majtë duket se janë adaptuar me tonet pajtuese. “Ne besojmë se kemi arritur rezultate konkrete në këto bisedime, në lidhje me propozimet për reformën e tokës”, tha Jesus Santrich. “Besojmë se ky është një ritëm mamboje. Është disi e ndrydhur, por e përshpejtuar”.Megjithatë, rebelët kërkojnë me ngulm garanci, se rezultatet e bisedimeve do të njihen dhe pranohen nga asambleja kushtetuese.