Fondacionit bamirës "Shën Jozefi" në Fushë-Arrëz i grabisin 22 mijë euro
Fushë Arrëz- Një kasafortë e një fondacioni bamirësie në bashkinë Fushë Arrëz, brenda së cilës ndodheshin 22 mijë euro dhe 8 mijë lekë shqiptare janë grabitur nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës.Policia e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dyshon se vjedhja mund të jetë kryer nga persona të brendshëm të fondacionit.Kasaforta i përkiste misionit të bamirësisë "Shën Jozefi" i cili merrte donacione nga disa shtete, mes tyre Italia, Gjermania, Austria.Nga blutë e Pukës bëhet me dije së janë shoqëruar për tu marrë në pyetje 3 punonjës të stafit të fondacionit të bamirësisë, pasi dyshohet se ata kanë patur informacion të detajuar rreth vendodhjes së kasafortës si dhe shumës së grumbulluar.Sipas dëshmive të para nga vendi i ngjarjes, shumat përdoreshin për bursa studentësh dhe rindërtim banesash.Ky fondacion ka ardhur në Shqipëri prej vitit 1995 dhe operon në rrethin e Pukës duke ju ardhur në ndihmë shumë familje të varfra. Deri më tani nga ky mision janë ndërtuar mbi 350 shtëpi të familjeve të varfra, si dhe janë dërguar shumë të sëmurë për kurim në shtete të ndryshme europiane.Aktualisht, pranë misionit Shën Jozefi vazhdon të jetë i hapur kopshti ditor me rreth 100 fëmijë. Ndërsa kursi i rrobaqepësisë, i gjuhëve të huaja si dhe reparti i përpunimit të veshjeve tradicionale të zonës ku janë të punësuara shumë gra, vazhdojnë të funksionojnë prej shumë vitesh.