Presidenti uron të gjithë shqiptarët për Bajram: "I uroj edhe ata që e respektojnë"

Tiranë - Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka uruar të gjithë popullin shqiptar për festën e Kurban Bajamit, një festë e komunitetit mysliman, duke specifikuar në urimin e tij edhe arsyen."Uroj edhe jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin," - shkruan Nishani në mesazhin e urimit.Ndërsa, posaçërisht për besimtarët myslimanë, ai shprehet:"Nuk ka gjë më të aftë se kjo festë për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet.Është kjo Festë e madhe që ka aftësinë e rrallë për t’i bërë të rinjtë më të pjekur, të moshuarit më të rinj, të sëmurët më të shëndetshëm, të shëndetshmit më të mëshirshëm, fatkeqët më pak të dëshpëruar, fatlumturit më të përmbajtur, fukarenjtë me më tepër shpresë, zengjinët më zemërgjerë.Ditët e Ramazanit, ato ditë të udhëtimit shpirtëror brenda vetes përmes vetsakrifikimit, janë rasti më i mirë për realizimin e një marrëdhënie më të afërt dhe më të drejtpërdrejtë me Zotin, për të ardhur me shpirt e trup të pastër dhe zemër të hapur në këtë ditë të madhe, në këtë festë të gëzueshme, që është Dita e Bajramit.Kjo Festë pas asaj sakrifice, është rasti fatlum për ndriçimin e shpirtit, kthjellimin e mendjes, ngrohjen e zemrës, forcimin e trupit, ripërtëritjen e shqisave, ngjalljen e shpresave, shtimin e dashurisë për tjetrin, mëshirës për të vobektin, kujdesit për të sëmurin, respektit për të moshuarin, prindin, familjen, të afërmit, dhe të gjithë të tjerët.Ta festojmë Bajramin si duhet, si na ka hije; si besimtarë të devotshëm dhe njerëz të qytetëruar, që njohim dhe respektojmë normat e Besimit; me gëzim të përmbajtur, vëllazërim me njëri-tjetrin, dhe kryesorja; mirënjohje për Zotin.Uroj edhe jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin."ar.sh/Oranews.tv