Tirana dhe Shkodra solidarizohen me shqiptarët e Maqedonisë, Seferi: Kemi 10 milionë shqiptarë me vete
Tiranë – Qytetarë nga Tirana dhe rrethe të tjera të vendit, me parullën "Shkupi, zemra e Shqipërisë", janë solidarizuar mbrëmjen e sotme me vëllezërit e tyre në Maqedoni në këto ditë protestash të ashpra kundër vendimit të gjykatës maqedonase për burgim të përjetshëm ndaj 6 shqiptarëve.Ata janë mbledhur para Piramidës dhe kanë lëshuar thirrje patriotike në mbështetje jo vetëm ndaj 6 të dënuarve, por të të drejtave të të gjithë shqiptarëve në Maqedoni. Me ta ndodhej edhe boksieri Nuri Seferi, i cili theksoi se kishte ardhur qëllimisht nga Zvicra për të qënë në krye të kësaj proteste.Seferi tha: "Kam ardhur nga larg, nga Zvicra, vetëm për të mbështetur vëllezërit tanë këtu në mbështetje të Shkupit. U bëj me dije të gjithë albanofobëve, sidomos në Maqedoni, dua t'ju them nga Tirana se popull shqiptar nuk janë vetëm 1 milionë, por edhe 9 milionë mbrapa.Kështu, të kujtohen mirë të gjithë ata që tentojnë dhe mundohen të shtypin kombin shqiptar në Maqedoni.Jemi tubuar këtu që t'u themi njëherë e përgjithmonë, të lirohen të gjithë djemtë tanë që janë burgosur pafajësisht në Shkup, jo vetëm rasti i fundit "Monstra", por të gjitha rastet e tjera që kanë ndodhur.Këto duhet të marrin fund, jemi popull paqëdashës që nuk nxitim urrejtje ndaj të tjerëve, nuk jemi as popull sundues. Kërkojmë dhe ne të drejtat tona, të respektohet populli shqiptar në Maqedoni" tha Seferi.Protesta është organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale nga një grupim të rinjsh dhe ajo është mbështetur edhe nga qytetarët shkodranë.Në fillim të korrikut, një trup gjykues në Shkup të Maqedonisë mbylli rastin e ashtuquajtur ‘Monstra’ duke dhënë burgim të përjetshëm për gjashtë nga shtatë shqiptarët e akuzuar për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas në prill të vitit 2012.ar.sh/Oranews.tv